Berisha: Jemi të vendosur për kryengritje paqësore, nuk marrim pushtet me dhunë

Nga A2 CNN
23 Mars 2026, 19:24 | Politikë

Berisha: Jemi të vendosur për kryengritje paqësore, nuk marrim

Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi të hënën në foltore se Partia Demokratike është e vendosur të zhvillojë kryengritje paqësore kundër qeverisë, duke theksuar se kjo është rruga që i çon në fitore.

“Ne jemi të vendosur për kryengritje paqësore sepse ajo na çon në fitore! Ne nuk marrim pushtet me dhunë", tha Berisha.

Berisha tregoi një incident nga përpjekjet e tij për të marrë pjesë në një foltore në Lushnje në shtator të vitit 2021. Ai tha se policia kishte bllokuar rrugët dhe kishte ndaluar qytetarët që të merrnin pjesë, duke vepruar në mënyrë që ai të mos arrinte në kohë.

“Pra, policia kishte marrë në patronazh nga unë ish-kryetarin Lulzim Basha. E kuptoni se çfarë opozite duan këta? Këta janë horra që nuk kanë as moral, as nder. Nuk kanë princip. Ndaj këtyre vetëm qëndresa dhëmb për dhëmb, dhëmb për dhëmb, dhëmb për dhëmb", tha Berisha.

Ai shtoi se përcaktimi i opozitës nuk buron nga mëshira ndaj qeverisë, por nga bindja se kryengritja paqësore është rruga drejt fitores, raporton A2CNN.

“Por përcaktimi ynë për kryengritje paqësore buron jo nga mëshira ndaj tyre, se ata nuk meritojnë asnjë mëshirë, se ata meritojnë ndëshkimet më të mëdha, por buron nga bindja se kryengritja paqësore na çon ne në fitore. Na sjell ne në fitore”.

Ish-kryeministri përfundoi duke theksuar se, megjithëse kjo kryengritje nuk është një ndeshje futbolli, ajo nuk mund të ndalet pa arritur fitore.

“Por kjo kryengritje, sigurisht nuk është një ndeshje futbolli, por në mënyrë absolute nuk ka forcë në botë që e ndal pa shkuar në fitore". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos