Berisha nga Elbasani: Të përgatitemi për revoltat më të fuqishme deri në përmbysjen e regjimit

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2025, 20:19 | Politikë

Berisha nga Elbasani: Të përgatitemi për revoltat më të

Nga Elbasani ku zhvendosi foltoren e radhës të demokratëve, Sali Berisha bëri thirrje për t’u përgatitur për revoltat më të fuqishme deri në përmbysjen e regjimit.

“Jam këtu sot për t'u bërë thirrje ju, për t'u bërë thirrje qytetarëve të këtij qarku dhe mbarë shqiptarëve, që të përgatitemi për revoltat më të fuqishme që ka njohur vendi. Midis nesh ka njerëz të lodhur, e kuptojmë. Ka njerëz të mërzitur, e kuptojmë. Ka njerëz të zhgënjyer, kjo është e vërtetë. Ka njerëz të pakënaqur, kjo është e vërtetë. Ka njerëz që kanë kontrata me qeverinë, kjo është e vërtetë. Ka njerëz që kanë favore nga qeveria, kjo është e vërtetë.  Prapë jam shumë optimist, se përsëri kam bindjen më të thellë se, ka mijëra e mijëra idealistë, të cilët idealin e lirisë dhe dinjitetit njerëzor, të familjes dhe të Shqipërisë, të kombit shqiptar, e kanë më epror se çdo gjë tjetër. Ndaj dhe ne do të nisim një betejë, në të cilën nuk ndalemi më gjerë në fitoren, gjerë në përmbysjen e këtij regjimi dhe fitoren e merituar të Partisë Demokratike”, u shpreh kreu demokrat.

Duke e cilësuar situatën aktuale në vend si një nga më kritikët në historinë e vendit, ai akuzoi qeverinë për deformim të procesit zgjedhor dhe keqqeverisje. Sipas Berishës, pa votë të lirë Shqipëria nuk ka të ardhme

“Tani jemi në një nga momentet më kritike të historisë sonë. Si njerëz politikë, ne duhet të realizojmë se pa votë të lirë ne të ardhme s'kemi. Absolutisht. Farsa, jo që nuk zbutet, por shkon duke u thelluar.  Në këtë farsë Edi Rama fitoi 52, në tjetrën do të fitojë 63. Nuk do japë më 100 euro, do japë 200 euro. Ne nuk kemi ç't'i bëjmë. Kur po hyjmë në zgjedhje, s'kemi ç't'i bëjmë.  Por ne duhet të betohemi, duhet të zotohemi, të bëjmë atë që bënë 35 vite më parë, djemtë, vajzat, gratë, burrat, guximtarët e Elbasanit, u përleshën dhëmb për dhëmb me diktaturën”, theksoi Berisha.

Kryedemokrati u ndal edhe te projektiligji për barazinë gjinore, të cilin e quajti “stalinist” dhe “instrument censurues”, duke pretenduar se ai cenon lirinë e prindërve, komuniteteve fetare dhe të drejtën e shprehjes.

"Nuk është puna këtu as për pushtetin e këtij apo të atij. Por është puna për ekzistencën e këtij kombi.  Në tërë historinë e tij nuk ka ndodhur kurrë që në 10 vite të ketë humbur 45% të popullatës. Nuk ka ndodhur kurrë që në 10 vite të ecim mbrapa 100 vite. Nga viti 2018, kemi vdekjet shumë më të larta se lindjet. Dhe në qoftë se ecim në këtë mënyrë, këtë që pësuam për 10 vite, ju garantoj që pas 50 vitesh, ky vend s'do të jetë më i shqiptarëve. Se çfarë do ketë këtu, ne e kemi të vështirë ta marrim me mend, por shqiptarë këtu do mbeten ekzotikë, sporadikë. Pra, këtu kemi të bëjmë me një betejë për ekzistencën e kombit.  Kemi të bëjmë me një betejë për shpëtimin e familjes. Miqtë e mi, ligji i ri është ligji jo vetëm i shkonfigurimit të gjinisë njerëzore, por është ligji i ekstremizmit të majtë, i ekstremit të majtë. Prej shekujsh, një nga arritjet më të mëdha të njeriut ka qenë prezumimi i pafajësisë. Domethënë, gjersa të dënohesh je i pafajshëm. Ky ligj të bën fajshëm sapo të vjen dikush e të thotë, më diskriminove. Dhe duhet ti të dëshmosh që nuk e ke diskriminuar.  Është ligji më stalinist, më ekstremist që mund të jetë. Dhe këtë e votoi Edi Rama”, theksoi Berisha.

Ai paralajmëroi se PD do të organizojë revoltat më të fuqishme kundër qeverisë, të cilat i përshkroi si beteja politike për ekzistencën e kombit dhe mbrojtjen e familjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos