
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se kryeministri Edi Rama ka vdekur politikisht dhe sipas tij, detyra e opozitës është ta ‘groposin’ atë.
Komentet Berisha i bëri gjatë ‘Foltores’ së mbajtur nga PD para godinës së Kryeministrisë, ku u kërkua dorëheqja e kryeministrit Rama.
Berisha tha gjithashtu se opozita duhet të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe të përmbushin detyrimin e tyre ndaj vetes, familjeve dhe shqiptarëve, për rrëzimin e qeverisë.
“Pra zinxhiri vjedhjeve të tyre, i qëndrimeve të tyre nuk ka fund. Shpresa e vetme për shqiptarët qëndron në mendjet dhe zemrat tuaja, në vendosmërinë tonë, vendosmërinë e popullit opozitar ta shndërrojmë këtë dimër në një ngricë përfundimtare për regjimin e kalbur të rilindjes.
Rilindja ka vdekur, kjo organizatë kriminale ka vdekur, ne duhet ta groposim atë. Edi Rama ka vdekur politikisht, ne duhet ta groposim atë. Edhe njëherë u uroj shqiptarëve kudo që janë gëzuar vitin 2026.
Uroj dhe ftoj opozitarët të përmbushim detyrimin tonë ndaj vetes, familjeve tona, ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë. Rroftë Shqipëria!”, tha mes të tjerash Berisha.
Ndërkohë një sipërmarrës në Itali, Edmir Çekrezi, është shprehur se një pjesë e shqiptarëve e shesin votën me një çmim që shkon sa një gotë verë që sipas tij pi kryeministri Rama.
Ai shtoi gjithashtu se kjo qeveri është e kapur nga bandat dhe nuk bën zgjedhje të lira e të ndershme. Sipas Çekrezit, Policia e Shtetit është ulur në gjunjë para bandave kriminale dhe ministrat i shërbejnë krimit.
“Sot përtej dritave të festës, jam këtu për një dhimbje që na bashkon të gjithëve, gjendjen e Shqipërisë sonë. Në vend të shpresës dhe hapave drejt Europës, ne po përjetojmë çdo ditë zhgënjim. Jemi dëshmitarë të një realiteti ku korrupsioni është bërë normalitet, ku policia ulet në gjunjë para bandave dhe ku ministrat zgjidhen dhe u shërbejnë grupeve kriminale. Ky sistem po na zbraz Shqipërinë nga njerëzit tanë të dashur. Kjo bandë ka vjedhur votën e lirë. Iu drejtohem shqiptarëve që shesin votën, duke u thënë se po e shisni dinjitetin as për një gotë verë që pi kryeministri ynë”, tha mes të tjerash Çekrezi. (A2 Televizion)