“Çdo ditë protesta në shesh”, Berisha kërkon dorëheqjen e Ramës dhe Ballukut

Nga Fjorela Beleshi
29 Dhjetor 2025, 18:03 | Politikë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga selia blu i kërkoi kryeministrit dhe zëvendëskryeministres që të largohen nga detyra qeveritare përpara se të përballen në shesh me atë që e cilësoi si mëri të qytetarëve shqiptarë. “Jam sot këtu për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut nga postet e tyre”, u shpreh Berisha, përcjell A2.

Ai mendon se Rama po kundërshton drejtësinë jo vetëm për të mbrojtur Ballukun, por sepse është vetë i përfshirë. “Përgjegjësit i ka dhe shumë më të rënda se ato të Belinda Ballukut. Kopshti privat i Edi Ramës, AKSHI, nuk është kontrolluar nga Belinda Balluku. AKSHI ka qenë ekskluzivitet total i familjes Rama”.

Dosja e AKSHI-t, sipas Berishës, është skandali më i madh shtetëror, pasi, sipas tij, janë trafikuar të dhëna të sigurisë së NATO-s. “Vjedhja e plotë dhe totale e të gjitha të dhënave të sigurisë kombëtare dhe atyre që lidhen me aleancën e Shqipërisë me Aleancën Atlantike të Veriut. Kalimi i këtyre të dhënave në duart e armiqve të betuar të kombit shqiptar dhe të NATO-s”, tha Berisha.

Kreu i Partisë Demokratike pretendon se hetimi për pengmarrjen e biznesmenit Geron Meçe ka nisur falë autoriteteve gjermane, duke theksuar se ai nuk është i vetmi i marrë peng. “Nuk janë dy apo tre pengmarrje. Geron Meçe më 12 gusht, Daniel Shima një javë më vonë dhe një tjetër biznesmen i ri i marrë peng për shkak të lojërave të fatit”, deklaroi ai.

Për të gjitha këto akuza, Partia Demokratike mendon se kjo është beteja finale kundër qeverisë. Nëse nuk do të ketë largim vullnetar, Berisha paralajmëron vitin e ardhshëm protesta të përditshme. “Opozita angazhohet në betejën finale për largimin e organizatës kriminale nga pushteti, organizatë që kryesohet nga Edi Rama”.

Lideri demokrat udhëzoi njerëzit e tij që Partia Demokratike të veprojë me disa rrugë, si me protesta, ashtu edhe në mënyrë institucionale apo ligjore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos