
Koalicioni shqiptar pro familjes ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese një ankimim për ligjin për barazinë gjinore, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të tij dhe shfuqizimin si antikushtetues, shkruan A2 CNN.
Kërkesa e koalicionit thekson se me miratimin e këtij ligji janë cenuar parime bazë të Kushtetutës.
“Graviteti i cenimit shumëfishohet sepse ligji nuk kufizohet në një deklarim parimor; ai e lidh këtë mekanizëm me pasoja ndëshkuese të menjëhershme. Ligji parashikon masa disiplinore (neni 46), kundërvajtje administrative me gjobë (neni 47), si dhe hap rrugën për përgjegjësi civile (neni 48). Më e rënda është vetë gjoba “të përbëjë titull ekzekutiv” (neni 47:5), pra krijon efektin tipik të një mase ndëshkuese që mund të vihet në lëvizje dhe të ekzekutohet menjëherë. Këtu ligji e kalon çdo kufi proporcionaliteti: nuk është më fjala për një rregull të thjeshtë “lehtësimi provash” në një mosmarrëveshje civile, por për një regjim sanksionues ku dyshimi fillestar (“mund të supozohet”) mjafton për të futur në lëvizje mekanizma disiplinorë e administrative, duke i imponuar të paditurit barrë mbrojtjeje, kosto, rrezik reputacional dhe, potencialisht, penalitete financiare të ekzekutueshme.
Në thelb, ligji krijon një drejtësi të përmbysur: jo më “pretendimi provohet”, por “pretendimi supozohet dhe tjetri rrezon supozimin”. Një model i tillë e zhvendos qendrën e gravitetit nga e vërteta faktike te presioni procedural, dhe prodhon një efekt të pashmangshëm frikësues: subjekti i akuzuar do të vetëkufizohet, do të heshtë ose do të shmangë shprehjen e mendimit, veprimin profesional apo vendimmarrjen administrative jo sepse e ka shkelur ligjin, por sepse rrezikon të futet në një proces ku barra, kostoja dhe dënimi praktik fillojnë që në momentin e “supozimit”. Kjo e cenon drejtpërdrejt shtetin e së drejtës, sepse e kthen procedurën nga instrument për të zbuluar shkeljen në instrument për të prodhuar nënshtrim përmes rrezikut të sanksionit”, thuhet në ankimim. (A2 Televizion)