
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur sërish akuza ndaj qeverisë duke pretenduar se zgjedhjet lokale dhe parlamentare janë ndikuar nga blerja e votës.
Gjatë një takimi të zhvilluar këtë të premte me Departamentin e Çështjeve Sociale në PD, Berisha deklaroi se pensionistëve dhe shtresave të tjera u është ofruar para në këmbim të votës, duke e cilësuar këtë si “formulë mashtrimi elektoral”.
Sipas tij, në zgjedhjet lokale vota e pensionistëve është blerë me 50 euro, ndërsa në zgjedhjet parlamentare me 100 euro.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te situata ekonomike në vend, duke e cilësuar atë si kritike, për shkak të rritjes së çmimeve dhe shpërndarjes së pabarabartë të të ardhurave.
Por ai nuk la pa denoncuar edhe blerjen e votës nga kryeministri Edi Rama në zgjedhjet e fundit lokale dhe të përgjithshme, që e cilësoi “formula e mashtrimit elektoral”.
“Së bashku debatojmë për një problem i cili intereson jetën e më shumë se 40 për qind të shqiptarëve, prek kafshatën dhe shëndetin e gjysmës së popullatës në vend.
Shqipëria është në një situatë dramatike në raport me shpërndarjen e të ardhurave, në raportin e rrogave me çmimet dhe është vendi i vetëm që nuk ka të përcaktuar një minimum jetik.
Zhvillimet e 12-13 viteve të fundit, i shndërruan shqiptarët nga qytetarët me rroga e pensionet më të larta në rajon, në qytetarët me rrogat e pensionet më të ulëta. E vërteta është që nuk u ndoq as indeksimi i çmimeve”, tha kryedemokrati mes të tjerash.
“Për pensionistët është gjetur një formulë mashtrimi elektoral, 50 euro vota e tyre në zgjedhjet lokale, 100 euro në zgjedhjet e përgjithshme, ndërkohë kontot bankare të qeveritarëve shkojnë në qindra milionë e miliardë.
Më të keqtrajtuar se pensionistët shqiptar nuk ka dhe ata nuk e meritojnë. Jo vetëm që nuk u rritën pensionet, por edhe ata që mbaheshin me reminitancat, 35 për qind të parave ua mori droga sepse u zhvlerësuar euro”, shtoi ai. (A2 Televizion)