
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një konferencë për shtyp në sallën “Azem Hajdari” në selinë e PD-së, ku ka bërë akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë një takimi me gazetarët dhe përfaqësues të diasporës.
Berisha u shpreh, duke iu drejtuar të pranishmëve:
“Sot, në takimin me shqiptarët e diasporës, mori fjalën Edi Rama, armiku më i egër i kombit shqiptar pas Enver Hoxhës.
Ai është armik i egër i interesit kombëtar, i vokacionit perëndimor dhe vetë ekzistencës së shqiptarëve si komb.
Njëkohësisht, është dhe hajduti më i madh i të gjitha kohërave i fondeve dhe pasurive publike të këtij vendi.”
Më tej, Berisha pretendoi se Rama është përfshirë në politika rajonale që sipas tij kanë dëmtuar interesat e Kosovës dhe shqiptarëve në rajon. Ai akuzoi kryeministrin për nisma si “Ballkani i Hapur”, për qëndrime ndaj Kosovës dhe për rolin e tij në çështje rajonale dhe ndërkombëtare.
Në vijim të deklaratës së tij, Berisha tha:
“Edi Rama u bë publikisht avokati më i turpshëm, më i zellshëm i Aleksandër Vuçiç dhe i Rusisë së vogël në Ballkan pas agresionit rus në Ukrainë.”
Ai shtoi gjithashtu:
“Edi Rama është armik i lirisë së shqiptarëve, sepse sipas të gjitha dokumenteve dhe raporteve ndërkombëtare, ai ndërtoi për interesa të pushtetit të tij në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, duke damkosur në këtë mënyrë Shqipërinë dhe kombin shqiptar.”
Berisha vijoi me akuza për emigracionin dhe situatën ekonomike në vend, duke pretenduar se një pjesë e madhe e qytetarëve janë larguar nga Shqipëria gjatë viteve të fundit. (A2 Televizion)