Samiti i Diasporës, Rama: Sot Shqipëria vendi ku askush s’është mbi ligjin, e ardhmja europiane në tryezë

Nga A2 CNN
14 Prill 2026, 10:19 | Politikë

Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në Samitin IV të Diasporës në Tiranë, theksoi se Shqipëria është sot vendi ku askush s’është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur siç nuk ka qenë që prej kohës së pavarësisë në 1912-ën.

Kreu i qeverisë po ashtu vuri në dukje se Shqipëria ka hapur të gjithë grup-kapitujt në një kohë rekord dhe sot ka ambicien të përmbyllë negociatat në 2027-ën.

"Atëhere, kur ne u mblodhëm për herë të parë Shqipëria njihej botërisht dhe ishte e damkosur nga Bashkimi Europian si atdheu i pandëshkueshmërisë, ku ligji vepronte vetëm ndaj të dobëtëve dhe ku çdo i fortë sfidonte ligjin. Sot pandëshueshmëria është një mit i të kaluarës në Shqipëri dhe sot Shqipëria është vendi ku askush nuk është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur siç nuk ka qenë qysh në krye të herës nga 1912 deri kur ne me vullnet të plotë i dorëzuam asaj shpatën që i takon vetëm duarve të saj për të bërë drejtësi të barabartë për të gjithë dhe pa kursyer askënd", tha Rama. 

"Atëhere, Shqipërisë i mbyllej rregullisht dera e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Sot ne i kemi çelur të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe e kemi bërë këtë në një kohë rekord për vetëm 11 muaj, sepse njësoj si ju kur ju mbyllej dera në fytyrë në ato hapa të parë në rrugët e botës dhe kur askush nuk kishte kohë, nuk kishte respekt, nuk kishte besim, e prandaj nuk kishte as vëmendje për të dëgjuar dhe për të kuptuar se sa vlenit, por ju këmbëngulnit, këmbëngulnit, këmbëngulnit dhe pasi shkonit në darkë dhe fshinit lotët nga poshtërimi i ditës, riktheheshit në mëngjes për të vazhduar të këmbëngulnit në pritje, duke qenë gati për derën kur të hapej. Edhe Shqipëria këmbënguli, këmbënguli, këmbënguli dhe ishte gati në momentin kur dera u hap. E për këtë arsye, i hapi edhe kapitujt e negociatave për anëtarësim më shpejt se çdo vend tjetër në rrugën e anëtarësimit përpara saj", u shpreh kryeministri. 

"Atëherë, kur ju erdhët në samitin e parë, e ardhmja europiane ishte aspirata që mbetej larg. Sot e ardhmja europiane është një tryezë, ku jemi të ulur çdo ditë bashkërisht, ballë për ballë, ne dhe Komisioni Europian me ambicien e përbashkët për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027. Sot nuk duket më një kumt dëshiror në ajër, por është një fjalë që zë vend si çdo fjalë e përditshme. Ajo që Ismail Qemali tha në momentin themelues të shtetit tonë: - “Shqipëria do të bëhet”", vijoi kreu i qeverisë shqiptare. 

Sipas Ramës vendi ynë ka dy gjëra që sipas tij s'i ka patur kurrë. "Sot kemi Shqipërinë e besuar nga bota dhe shqiptarët e botës me besimin te Shqipëria", tha Rama.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos