Rama: Diaspora shqiptare jo më një histori ikjeje. Jeni në qendër të jetës kombëtare të vendit

Nga A2 CNN
14 Prill 2026, 10:09 | Politikë

Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në Samitin IV të Diasporës në Tiranë, theksoi se sot diaspora shqiptare s’është histori ikje, por është në qendër të jetës së kombit, dhe një vlerë e shtuar e saj. Kreu i qeverisë ftoi diasporën për pjesëmarrje në investime, inovacion dhe në ndërtimin e asaj që e konsideroi si të ardhmen e Shqipërisë, raporton A2CNN. 

"Sot kur bota është më e ndërlidhur se kurrë dhe kur fjala, si kurrë më parë ven e vjen në çast sa hap e mbyll sytë nga një kontinent në tjetrin, ju jeni zgjatim i gjallë i Shqipërisë kudo në botë. Fryma e kombit përtej gjeografisë, prova e tij se identiteti nuk përmblidhet në kornizën e hartës, por zgjerohet nga udhëtimet e njerëzve të tij. Ka pasur një kohë, jo shumë larg, kur shqiptarët iknin nga atdheu duke i mbajtur zemrat si gurë mbi shpinë, duke marrë me vete guximin e kujt s’ka asgjë për të humbur dhe dhembjen e ndarjes me gjithçka i lidhte pas kësaj bote. Por atë që historia deri dje e quante ikje të pangushëllueshme, koha e ka shndërruar në një lidhje të pazëvendësueshme. Ajo që dikur dukej si hendek, sot është bërë urë. Sot, Diaspora shqiptare nuk është më një histori ikjeje, ajo është një histori e shumëfishimit të forcave të kombit shqiptar dhe vlerës së shtuar të Shqipërisë", tha Rama.

"Miqtë e mi, ky samit nuk është një mbledhje ceremoniale, është një deklaratë qëllimesh të larta dhe të përbashkëta; është pa dyshim dhe mishërim i bindjes sonë se diaspora shqiptare nuk është në periferi të jetës kombëtare të Shqipërisë, por në qendrën e saj. Shqipëria sot nuk është më vendi që i kërkon diasporës kujtesë dhe indulgjencë monetare. Ky vend është një kantier i madh transformimesh që e fton diasporën në pjesëmarrje; pjesëmarrje në investime, pjesëmarrje në inovacion dhe në jetën akademike, pjesëmarrje në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë", shtoi ai. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos