
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për mashtrim dhe rëndim të barrës fiskale mbi qytetarët, gjatë fjalës së tij në Foltoren e radhës para Kryeministrisë.
Berisha u shpreh se qeveria po manipulon opinionin publik lidhur me çmimin e karburanteve dhe uljen e akcizës, duke theksuar se Shqipëria ka barrën më të lartë fiskale për naftën.
Ai akuzoi mazhorancën për korrupsion dhe manipulim, duke thënë se media, sipas tij, përdoret për të mbuluar skandalet dhe për të mbajtur në këmbë qeverinë.
Berisha: T’u pyes unë një gjë, a morën ndonjë dëmshpërblim sado të vogël 6 mijë familjet e Durrësit që u përmbytën vetëm pak javë më parë?
Asgjë.
Ata nuk marrin shpërblim kurse Gjushi me pantallona, kurse Sakoja rrit rrogën e vet.
Mbledh këshillin dhe rrit rrogën se po marr pak pa shkuar në punë.
Po vjedh duke fjetur.
Miq, është një censurë e cila kërkon të vërë njerëzit në narkozë.
Shikoni se çfarë ndodh këto kohë.
Këto kohë nafta nga bordi i tij ka arritur nivelet më të larta në botë, 220 lekë.
Mashtruesi deklaron se po u rrit mbi këtë nivel, do të ulë me 8 lekë akcizën.
Nuk është asgjë. Por problemi është se gjer në këtë nivel, rritja e TVSH-së është mbi 8 lekë dhe nuk kthen asnjë qindarkë.
Problemi është se ky njeri ka vendosur mbi litrin e naftës, barrën fiskale më të lartë në botë.
Kush të dojë, të kërkojë në Google, vendi me barrën fiskale mbi naftën më të lartë në Europë, Shqipëria del.
Vendi me barrën fiskale mbi naftën më të lartë në botë, Shqipëria del.
Kurse ky tallet me shqiptarët u thotë se po e lëviz akcizën kur nafta të tejkalojë 220.
Nuk ka asnjë skrupull dhe mëshire.
Qëndrimi i tij ndaj të rinjve shqiptarë është qëndrimi më armiqësor që mund të mbahet ndaj tyre.
Studentëve shqiptarë u them edhe njëherë se ju, të dashur studente e studentë, paguani tarifën më të lartë në Europë pas studentëve të Britanisë së Madhe dhe Holandës.
Se ju paguani një tarifë 4 herë më të lartë se Austria, Sllovenia, Franca, Gjermania.
Dhe po t’i marrim në proporcion me rroga, është 16 herë më e lartë.
Dhe ky vjen dhe u tregon dokrra.
Vjen dhe u thotë studentëve se më rrihnin dhe më burgosnin nëpër komisariatet e aeroporteve për problemin e vizave.
Mashtron në mënyrën më ordinere.
Vizat jo që nuk i hoqi ai, por përkundrazi bëri grevë urie në këtë shesh që vizat të mos hiqeshin për shqiptarët, dhe tani u thotë atyre se kjo ishte arritja e jetës sime.
Pra, kemi të bëjmë me një njeri që nuk ka turp, që nuk ka ndjenja, që jka korruptuar gjer në palcë veçanërisht mediat shqiptare, të cilat shpërndajnë në linjat e tyre mashtrime, trillime 24 orë mbi 24 orë. (A2 Televizion)