Protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, reagon Tirana zyrtare

Nga A2 CNN
6 Prill 2026, 12:51 | Politikë

Protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut,

Dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është një e drejtë themelore dhe e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet. Kështu është shprehur ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, në një reagim lidhur me kërkesën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Në një postim në rrjetet sociale, kryediplomati shqiptar thekson se çështja duhet trajtuar me përgjegjësi dhe pa politizim, duke respektuar të drejtat themelore dhe standardet demokratike.

Ai gjithashtu përgëzoi studentët për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike të artikulimit të kërkesave të tyre.

“E kam ndjekur me vëmendjen më të madhe shqetësimin e shprehur dhe kërkesën e drejtë dhe legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit në gjuhën shqipe. Përdorimi i gjuhës amtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë. Nëse procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme.

Kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për politizim. Ajo duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore. Demokracitë jo vetëm që kanë mekanizmat, por edhe pjekurinë e nevojshme për të gjetur zgjidhje ku harmonizohen shteti ligjor, legjislacioni dhe të drejtat e qytetarëve. Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara“, thuhet në reagimin e ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, të shpërndarë edhe në rrjetet sociale.

A2 CNN Livestream

Latest Videos