Berisha "ristrukturon listën e anëtarësisë në PD", Hoti: Ja u shpjegoj arsyen

Nga A2 CNN
21 Janar 2026, 13:44 | Politikë

Berisha "ristrukturon listën e anëtarësisë në

Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, ka sqaruar udhëzimin e fundit të firmosur nga kryetari Sali Berisha për përditësimin e listave të anëtarësisë, duke theksuar se bëhet fjalë për një proces administrativ dhe organizativ, jo për filtrime politike brenda partisë.

E ftuar në emisionin “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN, Hoti u shpreh se udhëzimi synon përcaktimin e rregullave, procedurave dhe afateve për përditësimin e të dhënave të anëtarëve të PD-së, me qëllim garantimin e saktësisë, integritetit dhe administrimit të rregullt të tyre.

Sipas saj, ky proces lidhet drejtpërdrejt me realitetin demografik të vendit. “Shqipëria sot po përballet me një nga plagët më të thella, shpopullimin dhe lëvizjet demografike. Kjo ka sjellë nevojën për përditësimin e listave dhe ndërtimin e një baze të dhënash të saktë për një organizim më funksional të aksionit tonë opozitar”, deklaroi Hoti.

Deputetja demokrate theksoi se përditësimi i anëtarësisë nuk është thjesht një procedurë teknike, por një hap i domosdoshëm për një veprim politik të përgjegjshëm dhe të strukturuar.

E pyetur nëse ky udhëzim rrezikon të penalizojë mendimin ndryshe dhe pluralizmin e brendshëm në PD, Hoti e mohoi kategorikisht një gjë të tillë. “Absolutisht jo. Partia Demokratike është dhe mbetet një parti e hapur ndaj mendimit ndryshe. Ky proces nuk ka asnjë lidhje me përjashtime apo filtrime politike, por vetëm me pasqyrimin real të anëtarësisë, në kushtet e shpopullimit dhe lëvizjeve të mëdha demografike”, u shpreh ajo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos