
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me përfaqësues të diasporës bëri thirrje për protesta pranë ambasadave dhe institucioneve ndërkombëtare.
“Nga viti 1990–2026 lindjet janë ulur në 74%. Vjetërsimi i popullatës është bërë me ritme 300% më të mëdha sesa në Europë. Sipas të gjitha përllogaritjeve demografike, pas 50 vitesh Shqipëria nuk do të ekzistojë si vend shqiptarësh”, paralajmëroi lideri i opozitës.
Berisha denoncoi atë që ai e quajti "mburojë ligjore për vjedhjet", një praktikë e paprecedentë ku Kryeministri përdor ligjin për të mbrojtur korrupsionin galopant. Ai theksoi se Bashkimi Evropian nuk mund ta pranojë këtë model dhe është i përgatitur të kthejë në "pikën zero" procesin e integrimit të Shqipërisë, shkruan A2.
Berisha u bëri thirrje shqiptarëve kudo që ndodhen që ta shohin këtë jo si një betejë partiake, por si një betejë për ekzistencën e Shqipërisë. Sipas tij, duhen "protesta në diasporë: Mobilizim i plotë pranë ambasadave të Shqipërisë dhe institucioneve ndërkombëtare; Mbrojtja e votës: Çdo qytetar që beson te dënimi i vjedhjes dhe te rruga evropiane duhet të jetë në shesh; Protesta paqësore: Mobilizim i përgjithshëm kundër regjimit Rama-Balluku për t'i kthyer vendit legjitimitetin".
"Kjo betejë është plotësisht e fitueshme. Mediat ndërkombëtare po pasqyrojnë realitetin tonë sepse këtu po mbrohet korrupsioni. Duhet t'u tregojmë vendeve të lira se kush qeveris vërtet në Shqipëri," mbylli fjalën e tij Berisha. (A2 Televizion)