Enkelejd Alibeaj nga Djathtas 1912, i ftuar në Puls nga Bruna Çifligu në A2 CNN, bëri një analizë mbi gjendjen aktuale të Partisë Demokratike, duke theksuar se problemi nuk është më vetëm Sali Berisha, por “berishizmi”, një grupim i brendshëm që sipas tij kontrollon plotësisht PD-në dhe e ka larguar interesin publik nga prioritetet.
Alibeaj deklaroi se ky grupim politik ka braktisur interesin e qytetarëve, duke u fokusuar vetëm te përfitimet personale dhe marrëveshjet amorale me pushtetin. Ai theksoi se Berisha, edhe pse humbi zgjedhjet dhe ka firmosur në statut që kryetari humbës duhet të largohet, sot mbështetet nga një rreth interesash që veprojnë për hesap të tyre.
Sipas tij, “berishizmi është më i fortë se vetë Berisha”, pasi enturazhi që e rrethon funksionon vetëm për ruajtjen e karrigeve dhe ka treguar mungesë integriteti dhe koherence politike. Alibeaj u shpreh se brenda PD-së ekzistojnë klane pa harmoni dhe qëndrimet e tyre publike e dëshmojnë këtë përçarje, shkruan A2 CNN.
Ai kujtoi se në vitin 2021, PD ishte shumë pranë fitores, vetëm 30 mijë vota larg PS-së, ndërsa sot, me rreth 300 mijë vota më pak dhe një sjellje të dorëzuar, nuk ka më asnjë perspektivë si alternativë qeverisëse. Për Alibeajn, fakti që Berisha e quan 11 majin “masakër zgjedhore” por gjithsesi ecën pas iniciativave të Edi Ramës në komisionet e reformës zgjedhore, territoriale dhe në ndryshimet kushtetuese, tregon varësi dhe mungesë vizioni.
Sa i përket zgjedhjeve 2021–2025, ai tha se manipulimet më të mëdha kanë ndodhur në 2021, kur rreziku që PD të vinte në pushtet ishte real, ndërsa sot, sipas tij, partia nuk paraqet më asnjë alternativë serioze për demokratët. (A2 Televizion)
