Lëvizja e Ervin Salianjit, ndonëse nuk pranohet nga kupola drejtuese e PD-së, duket se ka vënë në lëvizje Sali Berishën që të kthejë sytë nga “tradhtarët” në zgjedhjet brenda llojit. E thënë ndryshe, demokratët që punuan për PS-në në zgjedhjet e fundit, praktikisht kundër forcës së tyre politike, do t’u dalë emri në analizën që do të kryejë PD-ja, ndonëse kanë kaluar 7 muaj nga zgjedhjet e fundit.
“Ka pasur denoncime për x apo y që po punon kundra nesh, por në fushatë, fushata është fushatë dhe në fushatë... edhe mund të ndërmerreshin masa sepse fushata është aktet më të rënda që mund të kryesh është të punosh kundër në betejë, të shmangësh, dezertosh, por janë lënë që të bëhet analiza”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Nëse të besuarit e Berishës, të cilët ky i fundit i vendosi si drejtues politikë në zgjedhjet e 11 majit, menduan se do t’ia hedhin edhe kësaj radhe humbjen e tyre elektorale, kreu i PD-së, Berisha, u rikujtoi se do të japin llogari një e nga një.
“Absolutisht. Secilit nga ne, ne do dëgjojmë zërin e tyre. Ka gjëra që baza, që njerëzit, militantët edhe anëtarët, simpatizantët, kanë të drejtë. Ka gjëra që duhet t'u shpjegojmë, nuk e di. S'kanë faj, nuk janë informuar, duhet t'i informojnë”, shtoi Berisha.
Për Salianjin, Berisha përsërit se lëvizja e tij bëhet për interesa personale dhe jashtë strukturave të partisë, madje i kujton se nuk ka shkuar kurrë në zyrën e tij për t’i shprehur pakënaqësitë. (A2 Televizion)