Doris Madhi, një nga të përjashtuarit nga Partia Demokratike, ishte në një lidhje direkte me studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, ku tregoi emrin e deputetit demokrat që, sipas saj, ka votuar për t’i dhënë asete atyre që Sali Berisha i quan “bandat e Elbasanit”.
“Kur zoti Blendi Himçi ishte anëtar i Këshillit Bashkiak dhe kryetar i grupit të këshilltarëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ka ngritur dorën dhe ka votuar ato që doktor Berisha i shan nga mëngjesi deri në darkë, duke i thënë që janë bandat e Elbasanit. Himçi votoi për t’i dhënë asete për të zgjeruar tregun agro-industrial. Ka edhe vendime të tjera plot ku janë bashkuar votat në Këshillin Bashkiak”, tha Madhi.
“Para disa ditësh u bë publike edhe një kontratë tenderi, ku vëllai i deputetit Himçi merr nga institucionet shtetërore kontratë për furnizimin e karburantit… Nuk e di se çfarë provash të tjera do PD-ja për të kuptuar se kush është me PD-në dhe kush jo”, shtoi Madhi. (A2 Televizion)