
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ndaj rritjes së çmimeve, duke akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Rama për mungesën e marrjes së masave konkrete, sikundër vendet e rajonit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Këlliçi tha se reagimi i kreut të qeverisë është “tallje” me qytetarët, ndërsa theksoi se rritja e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve po rëndon më tej jetesën.
“Rritjes së çmimeve i shtohet dhe tallja kryeministrore! Kryeministri i cili dje paradite rriti çmimin e naftës në 218 lekë, u shfaq pasdite si opinionist amator, me komente qesharake, të tipit kjo ka ndodhur prej luftës në Iran. Bota rrotullohet, e plot dokrra si këto. Vetëm për masat që duhej të kishte marrë si Kryeministër, nuk tha asnjë fjalë. Ndërsa sot në monologun me mikrofon, Edi Rama u shpreh se gjithçka është në rregull. Ai nuk e ul dot çmimin, por po monitoron. Dhe gjërat po shkojnë mirë sipas tij. Ku po shkojnë gjërat mirë përveçse në oborrin e tij?!”, shkruan Këlliçi.
Sipas tij, ndryshe nga vendet e rajonit që kanë ndërhyrë me politika lehtësuese, qeveria shqiptare ka mbetur vetëm në deklarata.
“Si duhet të tingëllojnë këto fjalë tek qytetarët që e marrin karburantin dhe shumë prej ushqimeve 40% më shtrenjtë se vendet e rajonit, ndërkohë që kanë të ardhurat më të ulëta në kontinent?! Krejt ndryshe nga vendet normale, apo dhe fqinjët tanë, që kanë ndërhyrë tek taksat dhe kanë miratuar paketa financiare lehtësuese e mbështetëse, Edi Rama këtu ka vetëm fjalë, premtime për të ardhmen dhe tallje mizore”, vijon dpeuteti demokrat.
Ai bëri thirrje për reagim qytetar, duke ftuar në protestë më 17 prill.
“Kësaj sjellje njerëzit duhet t'i japin përgjigjen që meriton. Me 17 prill është rasti të bashkohemi sërish në sheshin e protestës!”. (A2 Televizion)