Niko Peleshi ka mohuar se brenda Partia Socialiste ka përçarje, por theksoi se është normale të ketë mendime të ndryshme kur je pjesë e një formacioni politik.
Nga qarku i Korçës, ku ai është drejtues politik i PS-së, Peleshi nuk e quajti përplasje mes Elisa Spiropalit dhe Edi Ramës.
“Unë nuk mund të komentoj thashetheme pa substancë politike. Nuk di çfarë do të thotë përçarje; natyrisht që ka diskutime. Kemi pasur orë të gjata diskutimesh dhe kjo besoj është e shëndetshme. Diskutimi nuk mund të quhet përçarje. Ne nuk jemi një formacion ushtarak pa mendime, pa frymë debati dhe pa demokraci të brendshme”, u shpreh Peleshi.
Edhe kur gazetarët në Korçë kanë përmendur edhe përplasje të tjera të mundshme, mes Damian Gjiknurit, ish-ministrit Ervin Hoxha me Ramën, Peleshi sërish i kundërshtoi dhe i cilësoi këto si thashetheme.
“Këto janë thashetheme pa kontekst politik”.
Ai garantoi gjithashtu se do të ushtrojë maskimalisht detyrën e tij si kryetar Kuvendi që reforma e re territoriale të jetë bipartizane dhe jo partiake, me qëllim realizimin e një reforme efikase dhe jo thjesht grumbullim votash.
“Gjithmonë ka dinamikë, ndaj edhe ka ardhur koha për një reformë të re. Unë shpresoj shumë dhe do të luaj edhe rolin tim, që më takon si Kryetar i Kuvendit, për të mundësuar një klimë sa më pozitive. Ndonjëherë nuk është e lehtë, është një nga sfidat më të mëdha të atij pozicioni, që të kemi një formulë bipartizane. Kjo do të shuante edhe paragjykimet për një reformë të frymëzuar politikisht”, u shpreh Peleshi.
Më 28 mars, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, u prezantua për herë të parë nga bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrative Arbjan Mazniku 4 variante të hartës territoriale. Në këtë platformë propozohej kthimi i konceptit të rretheve dhe drejtuesit e qarqeve të zgjidhen direkt nga populli. (A2 Televizion)