Dërgoi pezullimin e Ballukut në Kushtetuese, Rama: Nëse e lëmë miun e çbalancimit të pushteteve të na kalojë këtë herë, nesër do të bëhet ujk

Nga A2 CNN
4 Dhjetor 2025, 14:54 | Politikë

Dërgoi pezullimin e Ballukut në Kushtetuese, Rama: Nëse e

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një tjetër video ku shpjegon pse, sipas tij, vendimi i pezullimit të zëvendëses së tij, Belinda Balluku, i marrë nga Gjykata e Posaçme, bën që askush tjetër të mos marrë dot vendime të firmosë gjë në emër të dikasterit.

“Prandaj edhe vendimi i pezullimit të ministrit është absurd si koncept, sepse është bllokim i krejt zinxhirit të vendimmarrjes për sektorët që vetë ministri mbulon. Dhe ndër gjërat që janë penguar është edhe marrëveshja për Kanadanë për fluturimet ajrore, që po mundohemi mos e zgjidhim me Ministrinë e Jashtme. Po ta zëmë se e zgjidhëm, por me 35 vendimet e tjera të qeverisë si do ia bëjmë? Po me lejet e ndërtimit për investimet në energji të rinovueshme, infrastrukturë, godina publike që, kanë kaluar në KKT dhe nuk zbardhen dot pa firmën e pezulluar. Këto janë punë të bllokuara që do të shtohen përditë, prandaj kam shkuar në Gjykatën Kushtetuese. Po flas për marrjen konkrete te kompetencave që mi jep Kushtetua”, tha Rama në një videomesazh, përcjell A2 CNN.

Kryeministri shpjegoi edhe pse e përmendi marrëveshjen me Kanadanë. “Sepse më vjen plasja që u bë kaq kohë që po përpiqemi me mish e me shpirt të hapim ato fluturimet transoqeanike për Shqipërinë dhe një marrëveshje fantastike për shqiptarët që jetojnë Kanada na bllokohet sepse na del ky shkop në rrota.  Dhe besoj se sa shpjegova i jep përgjigje edhe pyetjes “po mirë, pse nuk e heq ministren dhe shpëton nga gurguleja?”. Jo, sepse heqja e ministrit në këtë rast, nuk do të zgjidhte këtë problem themelor, por do të krijonte një problem themelor më vete për të nesërmen, jo për mua por për çdo qeveri. Pasi miu i çbalancimit të pushteteve, që do të kalonte këtë herë nën mustaqe me idenë se ministrat mund të hiqen pa gjyq, pa vendim të formës së prerë, mund të hiqen pa dorëheqje, pa vendim të Kryeministrit dhe thjesht mjafton një masë sigurie në një Gjykatë të Shkallës së Parë, do të kthehej në ujk që do të kafshonte qeveritë, do të përbuzte parlamentet, do përqeshte votën popullore nga ku edhe buron përbërja e çdo qeverie”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos