Dervishi: Pakënaqësinë ndaj PD së e kanë ata që kanë dalë nga ajo parti

Nga A2 CNN
5 Shkurt 2026, 23:16 | Politikë

Gazetari Lutfi Dervishi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, theksoi se “inati dhe zemërimi që kanë me njëri-tjetrin brenda Partisë Demokratike është shumë më i madh sesa zemërimi ndaj palës tjetër”.

“Lufta brenda llojit është pak më e fortë ndonjëherë. Pakënaqësinë me PD-në e kanë njerëzit që kanë dalë nga PD-ja”, tha Dervishi.

Sa i përket protestës, Dervishi u shpreh se PD-ja ka treguar se ndryshe nga partitë e tjera opozitare i mbush sheshet, por shtoi se “nuk është në hapin e kohës me metodat e reja të komunikimit”.

“Një protestë gjykohet në kushtet e sotme nga pjesëmarrja, nga intensiteti dhe nga kohëzgjatja. Deri më tani, protestën e ka organizuar PD-ja. Në një farë mënyre ka treguar avantazhe ndaj partive të tjera opozitare që bazën, strukturën e vet, anëtarësinë domethënë e mobilizon dhe është e vetmja forcë brenda spektrit opozitar që mund të mbushë sheshe. Problemi është i metodave të reja të komunikimit. Opozita nuk është në hapin e kohës me to. Nuk shikon diçka ndryshe në TikTok apo Instagram. Është e njëjta gjë. Megjithatë, 10 shkurti do të jetë një test për të parë nëse opozita është në rritje apo kaq janë mundësitë dhe nuk shkon dot më tej. Për mua, këtë do të ndajë 10 shkurti”, tha Dervishi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos