Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, Spiropali: Shpëtimi i  hebrenjve, maja morale e historisë sonë

Nga A2 CNN
27 Janar 2026, 10:40 | Politikë

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, Spiropali:

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mori pjesë në aktivitetin përkujtimor me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nën temën “Ura që lidh brezat”.  Ceremonia nisi në oborrin e pasëm të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme me mbjelljen e një peme ulliri, simbol i paqes, kujtesës dhe vazhdimësisë.

Spiropali risolli në vëmendje fjalën e Kryeministrit Rama në Parlamentin e Izraelit për të dëshmuar forcën e humanizmit të shqiptarëve me aktin e shpëtimit të hebrenjve gjatë Holokaustit.

"Dje, në seancën historike të mbajtur në Knesset, Kryeministri Edi Rama riktheu në vëmendjen e të gjithëve shembullin e jashtëzakonshëm të dritës shqiptare gjatë kapitullit më të errët të njerëzimit, Holokaustit. 'Arin po, hebrenjtë jo', ishte në vitin 1943, përgjigja e dhënë përballë ultimatumit të Gjermanisë Naziste, nga populli dhe autoritetet shqiptare. Shqipëria, ishte i vetmi vend në Europë, që përfundoi luftën me 15-fish më shumë hebrenj nga sa e nisi. Në një kohë kur edhe vende shumë më të pasura e të ashtuquajtura më të qytetëruara ranë pre e një flame totalitare që i zhveshi nga kodet njerëzore e morale, Shqipëria pikërisht në kodin e saj moral gjeti forcën për të mbrojtur të ndryshmin dhe për të nderuar jetën. Ne jemi krenarë për këtë majë morale që meriton të dëshmohet kudo, por që nuk është e vetmja në historinë tonë të strehimit dhe mbrojtjes së të huajve e të njerëzve në nevojë", tha Spiropali.

Sipas Ministres së Jashtme, “orientimi ynë i drejtë, qasja jonë parimore dhe kontributi përtej madhësisë së vendit e numrit të popullsisë në politikën tonë të jashtme, e organizmat ndërkombëtarë e ka bërë Shqipërinë një partner e aleat të vlerësuar e të besueshëm”.

"Shqipëria vendosi t'i bashkohet Kartës së Bordit të Paqes së Presidentit Trump përmes pjesëmarrjes së Kryeministrit Rama. Si një vend që dalë nga errësira e totalitarizmit, me një vëllazëri fetare shembullore dhe pa çarje etnike, Shqipëria ka ç'i dëshmon e ofron botës edhe në këtë format me qëllime fisnike për zgjidhjen e konflikteve të vjetra e të reja. Duke nisur nga Gaza, në një vend e rajon që ka vuajtur shumë nga ekstremizmi, ideologjitë e urrejtjes, terrorizmi e lufta, e ku paqja e qëndrueshme, pajtimi e rindërtimi duhet të jenë zgjidhje e vetme për izraelitët, palestinezët e të gjithë popujt e Lindjes së Mesme. Në një botë që po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme, ku konfliktet e vjetra në vend të shuhen po intensifikohen, Shqipëria i ka qëndruar dhe do i qëndrojë busullës së saj morale dhe vlerave universale që na bashkojnë", nënvijëzoi Spiropali.

Në ceremoni u publikua edhe një videomesazh i posaçëm nga Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa'ar, i cili theksoi se "historia unike e Shqipërisë qëndron sot si një shembull morali dhe guximi për mbarë botën."

"Gjatë Holokaustit, ndërsa në pjesën më të madhe të Europës hebrenjtë deportoheshin drejt kampeve të vdekjes, populli shqiptar u ngrit për t’i mbrojtur ata, në emër të kodit të tij të nderit, Besës. Asnjë hebre nuk iu dorëzua vdekjes. Shqipëria ishte i vetmi vend i pushtuar nga nazistët ku popullsia hebre, jo vetëm që mbijetoi, por u shtua ne numër gjatë Holokaustit. Kjo është një e vërtetë që nuk do të harrohet kurrë. Populli hebre dhe Shteti i Izraelit do të jenë gjithmonë mirënjohës për guximin tuaj, për shpëtimin e hebrenjve dhe për zgjedhjen e anës së drejtë të historisë. Ne e vlerësojmë thellësisht guximin moral të Shqipërisë edhe sot dhe çmojmë miqësinë e fortë si dhe udhëheqjen morale të Kryeministrit Edi Rama. Zonja dhe zotërinj, ne nuk duhet të harrojmë kurrë gjashtë milionë gra, burra dhe fëmijë hebrenj që u vranë gjatë Holokaustit. Kurrë më", deklaroi Ministri Sa'ar.

Në ceremoni morën pjesë nxënësit e Shkollës Gjermane “Refik Veseli” në Berlin dhe të Gjimnazit “Sami Frashëri”,  të cilët vendosën në “Pemën e Kujtesës” mesazhe simbolike si shprehje e angazhimit të brezit të ri për ta kthyer kujtesën në veprim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos