Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj propozimeve të qeverisë shqiptare për ndryshimet në Kodin Penal, duke theksuar se ato nuk garantojnë dekriminalizimin real të shpifjes dhe fyerjes, por përkundrazi rrezikojnë të përdoren si mjet presioni ndaj medias.
“Kodi penal do të përdoret si kërcënim ndaj gazetarëve për të seleksionuar ato gazetarë që do t'i kërcënojë me burg e ato të tjerë të cilët do t'i lejojë që të vazhdojnë të shpifin, të fyejnë, të intimidojnë. Kjo nuk është Shqipëria as europiane. Kjo nuk është një vend normal. E ka Maqedonia, e ka Mali i Zi, e ka Kosova. Komplet të dekriminalizuar shpifjen. Ndërkohë që qeveria shqiptare e përdor akoma si kërcënim”, tha Tabaku në një prononcim për gazetarët para Parlamentit, përcjell A2 CNN.
“Të mos t'ju them që Shqipëria në fushën e medias është një nga fushat që ka përkeqësimin më të madh në raport me të gjithë treguesit. os t'ju them që është kriter bazë në grup themelore, sepse këto janë çështje që ju i dini. Sot ne duhet të marrim një vendim të qartë. Do të marrim vendimin për t'ju bashkuar standarteve europiane apo do ta përdorim përsëri median si formë presioni? Fatkeqësisht qeveria shqiptare gjithmonë zgjedh të parën”.
Tabaku bëri të ditur se Komisioni Europian ka rekomanduar qartë përjashtimin e burgut dhe çdo sanksioni penal për fyerjen dhe shpifjen, duke kërkuar shfuqizimin e neneve përkatëse të Kodit Penal dhe trajtimin e tyre vetëm në Kodin Civil. Ajo kritikoi mazhorancën për refuzimin e një drafti të konsultuar gjerësisht dhe bëri thirrje që procesi i integrimit të shërbejë realisht për qytetarët, median dhe lirinë e fjalës në Shqipëri. (A2 Televizion)