“Duan më pak bashki”, deputeti i PD: Qeveria synon ndërhyrjen në pushtetin vendor

Nga A2 CNN
7 Shkurt 2026, 21:46 | Politikë

Reforma Territoriale ka rikthyer përplasjet politike në Kuvend duke hapur një debat të fortë mbi mënyrën se si do të riorganizohet pushteti vendor në Shqipëri.

Bledion Nallbani, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, u shpreh se mazhoranca synon ndërhyrjen në pushtetin vendor.

“Ne ende nuk e kemi filluar diskutimin teknik në komision. Kemi bërë vetëm një takim të përbashkët të komisionit të reformës. U diskutua përsa i përket pjesës së ekspertëve që do të ketë në mbështetje komisioni edhe gjithë stafit mbështetës. Kemi ditën e mërkurë një takim të komisionit të reformës, ku do të përcaktohen edhe nominalisht ekspertët, por edhe do të miratohet dhe plani i punës së reformës. Nuk kemi hyrë në diskutime teknike, nga ajo që kemi dëgjuar dhe që flitet në media nga ana e mazhorancës ata synojnë një pakësim të numrit të bashkive. Nga ana tjetër, me sa kam dëgjuar synojnë edhe një ndërhyrje në kompetencat dhe jo për mirë me sa kemi informacion, por nëqoftëse do duhet të ecnim, në fakt duhet të ecnim në decentralizimin e mëtejshëm të pushtetit vendor, me sa duket do vazhdojmë të kemi centralizim kompetencash, gjë që nuk ka si të jetë në interes të qytetarit”, tha Nallbati.

“Ajo që e ka shpallur kryeministri është se nuk kemi pse të kemi 61 bashki. Po flitet për 32. Ky është problem, që në Shqipëri jetohet edhe ky vend zhvillohet sipas fantazisë së Edi Ramës. Partia Demokratike nuk ka marrë pjesë në reformën e 2014, ka qenë kundër zvogëlimit të numrit të bashkive, ka qenë për një zvogëlim të numrit të përgjithshëm, sepse atëhere ishin edhe komunat. Ka pasur nevojë për një ndërhyrje, por jo atje ku e çoi mazhoranca në 61 bashki dhe ne jemi të bindur që ka nevojë për një riformatim edhe një ndërhyrje të fortë në kompetencë apo në kuadrin e decentralizimit, jo të centralizimit. Ne jemi për një numër më të madh bashkish, jo për një reformë siç u dizenjua. Ajo reformë nuk ishte një reformë administrative territoriale, por ishte një reformë mirëfilltazi politike. U dizajnuan kufijtë e bashkive me kalkulime të qarta elektorale”, shtoi deputeti demokrat.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos