
Kryeministri Edi Rama ka postuar dy fotografi nga Shkozeti, ku mbetjet kanë bllokuar kanalin, duke përmbytur zonën përreth.
“Sigurisht që kur i hedhim plehrat e shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve të atdheut që e duam vetëm në stadium, vjen një ditë shiu me gjyma që i mbledh nga janë e nga s’janë dhe i dynd në det, po kur pastaj shiu është aq i furishëm sa ky i fundit, atëherë nuk e arrin dot detin si zakonisht sepse gryka e kanalit taposet krejt, duke përmbytur dynjanë…”, shkruan Rama në X.
Në mëngjes, Rama ironizoi opozitën për akuzat ndaj tij për përmbytjet në vend, duke thënë se i ka mbetur pa kritikuar edhe për përmbytjet në shtetet e tjera të rajonit.
“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf”, shkroi Rama.
Prej ditës së martë, i gjithë vendi është përfshirë nga moti i keq, që ka shkaktuar përmbytje, bllokim dhe prishje rrugësh dhe probleme të tjera për jetën e qytetarëve. (A2 Televizion)