
Urbanisti Gentian Kaprata, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, pyeti ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, nëse i kanë lajmëruar për rrezikun e përmbytjeve banorët e zonave të prekura nga moti i keq.
“Deklaruat se keni hartuar që të shtunën hartat e zonave potenciale për t’u përmbytur. A i lajmëruat banorët e këtyre zonave?”, ishte pyetja e urbanistit.
“Kemi zbatuar zinxhirin e komandimit që prej ditës së shtunë. Duhet të kuptojmë që frontet metereologjike janë dinamike. Për shembull, prisnim reshje shumë më të mëdha në Lezhë, por ishin më të mëdha në bregdetin e Lezhës; prisnim më shumë reshje në Vlorë, por pati në bregdet. Situatat janë dinamike, prandaj dhe gatishmëria është aty për të reaguar sa më parë aty ku është nevoja”, u përgjigj ministri Vengu.
“Nëse e kuptova mirë, ia latë surprizës përmbytjen?”, ia ktheu Kaprata.
“Jo, aspak. Nuk thashë fare këtë. Këtë e interpretuar ju. Ne njoftimet për banorët i kemi bërë dhe vazhdojmë t’i bëjmë. Nuk besoj se ka munguar elementi i njoftimit. Patjetër që ka leksione për të nxjerrë aty ku infrastrukturat janë të pamjaftueshme. Nuk është ky momenti për të nxjerrë përgjegjësitë, mund t’ju them që gatishmëria është e plotë nga pikëpamja e Forcave të Armatosura”, theksoi ministri i Mbrojtjes. (A2 Televizion)