“Ngjan më shumë si parashikim moti”, Binaj përplaset live me ministrin e Mbrojtjes, ja si i përgjigjet Vengu

Nga A2 CNN
6 Janar 2026, 23:13 | Politikë

Aktivisti Florjan Binaj, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, iu drejtua ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili ishte në një lidhje direkte me emisionin, se nuk dëgjoi nga ai masa konkrete që po merren për qytetarët që po vuajnë nga përmbytjet.

“Sa herë që ka përmbytje dhe zjarre, thuhet gjithmonë që situata është nën kontroll. Kur nuk ka përmbytje dhe zjarre, i bie që situata nuk është nën kontroll? Sa mendoni se i ndihmoni qytetarët duke dhënë të dhëna që i dinë të gjithë? Ngjan më shumë si parashikim moti, nuk dëgjuam për masa konkrete që po merren për qytetarët”, tha Binaj.

Ministri Vengu u përgjigj: “Përmenda sa Forca të Armatosura kemi në terren, sa mjete, sa gomone, sa pompa… Këto janë fakte zoti Binaj, nuk janë interpretime. Unë ju flas nga terreni dhe jemi në gatishmëri në mbarë vendin. Nëse këto ju duken elementë të pamjaftueshëm, besoj se është e kundërta”.

Më herët, në “Off the Record”, ministri i Mbrojtjes deklaroi: “Siç e kishim parashikuar, patëm reshje intensive dhe sot kishim një agravim në zonën e Durrësit, Laçit dhe një pjesë të ultësirës perëndimore në Lezhë. Gjithashtu, pasdite pati agravim në Gjirokastër. Menaxhimi i kësaj situate ka nisur që të shtunën, duke u përqendruar në mirëmenaxhimin e kaskadës së Drinit, të treja hidrocentralet, duke komunikuar edhe me bashkitë që të kishim një nivel të qëndrueshëm shkarkimesh, për të parandaluar situata të këqija në Bunë. Sot u përqendruam edhe në zonën e Gjadrit, ku pati kuota maksimale. Aktualisht, gjendem në Bashkinë e Lezhës, ku kemi dislokuar forca që do qëndrojnë në gatishmëri gjatë natës. Në Durrës ka patur situatë shumë të vështirë me vërshime që kanë qenë në total 110 mm, të përqendruara në 6 orë. Edhe lumi Ishëm ka shkaktuar problematika, rrëshqitje dhe dëme në infrastrukturë. Kemi 100 forca të dislokuara, 4 pompa me kapacitet të lartë”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos