“E njëjta situatë si 8 vite më parë”, Balla: Opozita djeg Parlamentin kur s’ka pjesëmarrje në protestë

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2025, 12:23 | Politikë

“E njëjta situatë si 8 vite më parë”, Balla:

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi sot pas tensioneve në Kuvend, duke i cilësuar ato si skenarë të përsëritur të opozitës ndër vite. Në një komunikim me gazetarët jashtë Parlamentit, Balla bëri një krahasim me ngjarje të ngjashme në vitet 2017 dhe 2018, duke theksuar se sjellja e opozitës përsëritet sa herë që, sipas tij, protestat nuk kanë pjesëmarrje.

“Plot tetë vite më parë në të njëjtën datë më 18 dhjetor 2017, e njëjta pamje në Kuvendin e Shqipërisë. Atë ditë zgjidhej Prokurori i Përgjithshëm, Arta Marku. Sot pas 8 vjetësh në të njëjtën datë bënte betimin Avokati i Popullit, Endri Shabani, një kandidat i propozuar ekskluzivisht me firmat e PD, mes tyre udhëheqës të lartë të asaj që ka mbetur nga Partia Demokratike. E njëjta situatë sot pas 8 vjetësh, ripërsëritur. Kanë ndodhur të njëjtat pamje edhe në dhjetor 2018 nëse mbani mend”,  u shpreh Balla.

Duke iu referuar sulmeve ndaj Avokatit të ri të Popullit, Balla theksoi se, pavarësisht përpjekjeve për ta penguar, procesi kushtetues u përmbush.

“Qentë le të lehin, karvani ecën përpara. Karvani i Shqipërisë europiane ecën përpara,” deklaroi ai.

Ai akuzoi opozitën se kërkon të krijojë kaos institucional për të kompensuar mungesën e mbështetjes qytetare, ndërsa shtoi se këto veprime i bëjnë dëm imazhit të Shqipërisë.

“Kur protestat nuk kanë frymë, i vihet zjarri Parlamentit. Shqiptarët e dinë kush i udhëheq dhe kush jep urdhrat,” tha ai.

Balla përgëzoi gjithashtu vendimin e Bashkimit Europian për heqjen e një pjese të masave ndaj Kosovës, duke e cilësuar si një lajm shumë të mirë për gjithë shqiptarët. Sipas tij, tensionet e sotme lidhen edhe me përpjekjet për të zbehur këtë lajm pozitiv.

I pyetur për hetimet e SPAK-ut dhe përfshirjen e mundshme të punonjësve të policisë apo politikanëve, Balla rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Partisë Socialiste për Prokurorinë e Posaçme. “Unë gëzohem sa herë që SPAK-u realizon operacione. SPAK-un e mbështet qartazi vetëm një forcë politike, dhe kjo është Partia Socialiste,” tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos