Edvin Cami: Një pushtet i zhytur në korrupsion nuk mund të qeverisë pa dhënë llogari

Nga A2 CNN
17 Prill 2026, 20:57 | Politikë

Edvin Cami: Një pushtet i zhytur në korrupsion nuk mund të

Përfaqësuesi i opozitës, profesori dhe përkthyesi Edvin Cami, gjatë protestës para Kryeministrisë ka akuzuar qeverinë për korrupsion dhe mungesë llogaridhënieje, duke theksuar se një pushtet i zhytur në skandale nuk mund të vazhdojë të qeverisë pa dhënë llogari.

“Jemi sot sërish këtu përballë zyrës së një pushteti që nuk njeh turp dhe, si i paturp, bën gjithçka. Një pushtet që, edhe pse i zhytur në skandale, ka pafytyrësinë të vazhdojë të qeverisë, madje të shpallë se në zgjedhjet e ardhshme do të fitojë në të gjitha bashkitë. Si në kohën e sloganeve i gjithë pushteti i sovjetëve apo të gjitha votat për frontin. Edhe pse përballë kësaj gjendjeje, çdo njeri i arsyeshëm e i kthjellët mund të ndihet i tronditur dhe të pyesë veten: “Ç’ mall janë këta, nga ç’ planet na kanë rënë për pjesë?”. Duhet pohuar se kjo sjellje është më se e kuptueshme për një pushtet si ky. Partia tashmë 85-vjeçare Socialiste, e lindur në ilegalitet si parti komuniste, nuk ka ditur kurrë të qeverisë ndryshe. Në mendësinë e saj, pushteti nuk mund të jetë kurrsesi shërbim, por vetëm sundim. Ndaj edhe sot vazhdojnë t’u premtojnë shqiptarëve lugën e floririt, si 85 vjet më parë”, theksoi ai.

Duke e cilësuar atë si sundim dhe jo shërbim ndaj qytetarëve, ai përmendi rritjen e çmimeve dhe problemet me drejtësinë,.

“Premtuan shtet, mirëqenie, premtuan integrim në Bashkimin Evropian, premtuan drejtësi të re dhe të reformuar, ndërsa ajo që çdo qytetar sot sheh janë çmimet dhe korrupsioni që rriten; drejtësia që përndjek, si dikur, vetëm armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të partisë e të udhëheqësit, ndërsa ndalet dhe stepet përballë pushtetit të udhëheqësit.

Por unë e di, dhe ju e dini, dhe ata e dinë, se sundimi nuk zgjat kurrë përgjithmonë. Ata e dinë se, ashtu sikurse ata vetë janë trashëgimtarë të etërve dhe të pushtetit të vjetër, edhe ne jemi trashëgimtarë të qëndresës së atyre shqiptarëve që ushtruan opozitë të heshtur në dekadat e regjimit komunist, derisa erdhi dita dhe e rrëzuan atë regjim.

Dhe ata e dinë se korrupsioni dhe ofertat e pushtetit mund t’u mjaftojnë për të blerë disa karrieristë, por kurrsesi për të na blerë të gjithëve, sepse trashëgimia jonë morale nuk është në shitje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos