
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në protestën kombëtare, tregoi ndryshimin, sipas tij, midis opozitës në Hungari dhe opozitës në Shqipëri.
“Në Hungari nuk u arrestuan ndonjëherë liderët e opozitës në vitin zgjedhor siç ndodhi në Shqipëri dhe në Tunizinë e Zajedit. Nuk u mor vula dhe logoja e partisë kryesore opozitare me urdhër politik; Në Hungari, qeveria nuk shpërndau 100 euro për çdo pensionist për të blerë votën në mesin e fushatës elektorale siç bëri Edi Rama në Shqipëri; Në qytetet e Hungarisë, votën e qytetarëve nuk e kontrolluan kartelet më të rrezikshme të drogës siç e kontrolluan në qytetet e Shqipërisë me miliardat e tyre të krimit; Në zgjedhjet në Hungari, qeveria nuk fali gjoba dhe kamat e dhjetë viteve prej 2 miliardë eurove, dy ditë para zgjedhjeve, siç bëri narkodiktatori i Tiranës në zgjedhjet e fundit”, tha Berisha, shkruan A2.
“Do u rikujtoj se në Hungari, ministri i Drejtësisë, madje dhe vetë Presidenti i Republikës, të gjetur para një akti të konsideruar skandal nga shoqëria e atij vendi, falja që ata i bënë një delinkuenti që nuk duhej falur, dhanë dorëheqjen brenda pesë orëve dhe u paraqitën para drejtësisë”, shtoi Berisha. (A2 Televizion)