Eksperti i integrimit, Ardian Haçkaj, në një intervistë për emisionin “në ÇdoKënd” me Merita Haklaj në A2 CNN deklaroi se mbyllja e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian është thelbësore për të provuar se Shqipëria po arrin standardet europiane në çdo sektor. Haçkaj ngriti shqetësimin se Shqipëria rrezikon të humbasë një tjetër mundësi historike nëse zgjerimi i ardhshëm i BE ndodh pa përfshirjen e saj.
“Mbyllja e kapitujve është shumë e rëndësishme, sepse tregon që teknikisht, juridikisht, institucionalisht, dhe ekonomikisht, ose je në të njëjtin nivel, ose je në një trajektore të certifikuar për të arritur nivelin e BE-së. Ne gjykohemi që i kemi standardet e BE ose të aplikueshme, ose në rrugë për t’u aplikuar. E ke sigurinë ushqimore si në Bruksel, sigurinë rrugore si në Berlin, sistemin shëndetësor si në Paris, furnizimin me ujë duhet ta kesh si në Romë. Prandaj e duan njerëzit Europën, nuk e duan Europën për të parë kryeministrin shqiptar të ulet në Bruksel", u shpreh Haçkaj.
Sa i takon editorialit Rama-Vuçiç dhe mundësinë e anëtarësimit pa të drejtë veto-je, ai shprehet: “OP-ED-i mund të ishte bërë edhe me kryeministrin e Malit të Zi, s’kishte pse të bëhej me Vuçiçin, por rëndësi ka që veto OK pa asnjë problem, por me kusht që të gjithë kapitujt të jenë të mbyllur. Pastaj me veto pa veto s’ka rëndësi.”
Eksperti i integrimit u shpreh se mesi i vitit 2028 mund të jetë një nga skenarët që po diskutohet për mbylljen e kapitujve negociues, por paralajmëroi se kjo kërkon angazhim maksimal nga Shqipëria dhe mbështetje konkrete nga BE-ja.
“Mund të jetë një nga skenarët që mund të jetë duke u menduar. Por kjo kërkon nga ne të kemi arsyen dhe fuqinë për të kërkuar edhe një gjë nga BE, sepse ligjet s’i marrim për t’i bërë qejfin BE-së, por sepse me to mund të ndërtojmë institucionet, shtetin. Nëse i mbyllim të gjitha kapitujt, duhet që BE-ja të hapë të gjitha instrumentet financiarë për vendet në këtë stad.”
Pyetjes a është realiste frika që Shqipëria të humbasë sërish kohë nëse bëhet një zgjerim pa Tiranën në këto momente, Haçkaj tha:
“Është rrezik real. Janë zhvillime që avancojnë në funksion të dritareve të mundësive. Mund të rrijë për një kohë të caktuar hapur dhe më pas s’ke shans t’i afrohesh. Duhet të kemi shumë kujdes, të gjithë politikë, shoqëri, civile, biznes, duhet të punojmë që bëhemi pjesë e BE-së në 2030-ën. Duhet të bëhet maksimumi që të mbyllim gjithë kapitujt. Për një vit e gjysmë është shumë e vështirë për të arritur aty ku duhet”.
(A2 Televizion)