Pas Koresë së Jugut në Japoni, Rama fton homologen e tij në Shqipëri për Samitin e NATO-s

Nga Fjorela Beleshi
22 Maj 2026, 19:07 | Politikë

Pas Koresë së Jugut, Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë zyrtare edhe në Japoni. Shefi i qeverisë shqiptare u prit nga Kryeministrja e Japonisë Sanae Takaichi me ceremoni shtetërore.

Sipas informacionit të shpërndarë nga zyra e Kryeministrisë, në qendër të këtij takimi mes delegacionit të Shqipërisë dhe Japonisë ishte forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryeministrja japoneze tha se: “Shqipëria është partnere e rëndësishme, me të cilën ndajmë vlera dhe parime të përbashkëta. Ne jemi të kënaqur që negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme”.

Rama u shpreh se: “Marrëdhënia Japoni-Shqipëri është një marrëdhënie e cila është e bazuar tek vlerat dhe tek parime të përbashkëta për botën në të cilën ne dëshirojmë të jetojmë”.

Kryeministrja e Japonisë vlerësoi rolin e Shqipërisë për sigurinë në rajon, ndërsa Rama e ftoi atë në Shqipëri për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s.

“I shpreh respekt Shqipërisë për kontributin aktiv që jep në stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor, një rajon me histori komplekse. Gjithashtu, ju falënderoj nga zemra për mbështetjen e Shqipërisë ndaj vizionit për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur”, u shpreh ajo.

“Ashtu siç mbështesim plotësisht të gjithë përmbajtjen e kësaj strategjie dhe për këtë arsye, me shumë kërshëri ne presim që të eksplorojmë mundësi të ndryshme se si mund të afrohemi me Japoninë dhe nga ana tjetër, dëshiroj t'ju them edhe paraprakisht që vitin e ardhshëm, në Tiranë, ne do të organizojmë Samitin e NATO-s. Për këtë arsye, kam kënaqësinë e veçantë që t'ju ftoj të merrni pjesë në atë Samit dhe në fakt, kur të vini, do të jetë edhe rasti i parë kur një kryeministër apo kryeministre e Japonisë të vizitojë Shqipërinë në një vizitë shtetërore dhe do të ishte kënaqësi që t'ju mikprisnim dhe në një farë mënyre, të marrim “hak”, për këtë mikpritje kaq të ngrohtë që ju na keni ofruar dhe na ka lënë mbresa”, tha Rama.

Në fund të takimit Rama e uroi Kryeministren japoneze që është e dyta grua pas britanikes Margaret Thatcher, që drejton një kabinet vetëm me burra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos