Sali Berisha u ka dal në krah fermerëve të cilët kanë zhvilluar këtë të martë një protestë në Tiranë, duke mbështetur kërkesat e tyre për uljen e taksave dhe përgjysmim dhe mbështetjen me naftë. Sipas lideri të opozitës fermerët janë lënë në mëshirë të fatit nga qeveria, ndaj i ftoi ata që t’i bashkohen në protestën e 17 Prillit.
“Shpresa e vetme dhe rruga e vetme e fermerëve është protesta me të gjitha mjetet më datën 17 prill në Tiranë dhe më pas bllokimi i rrugëve, i shesheve të vendit në mënyrë që qeveria të marrë ndëshkimin që meriton”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Sipas Berishës, jo vetëm fermerët, por edhe pensionistët dhe shtresat e tjera në nevojë janë lënë pa mbështetje. “Sipas vendimeve të qeverisë dhe premtimeve, ato do u disbursoheshin si bonus pensionistëve. Asnjë qindarkë nga ky fond gjer sot nuk është disbursuar. Kështu që çdo ditë jeta e pensionistëve bëhet më e vështirë”.
Edhe njëherë ka kërkuar që të ndërhyhet për çmimin e naftës, ku sipas Berishës së paku çmimi i hidrokarbureve të përafrohet me vendet e rajonit. “Është e domosdoshme së pari dhe njëherë përgjysmimi i ngarkesës fiskale, ose ulja e ngarkesës fiskale për litrin e naftës në nivelin e vendeve përreth, në nivelin që e ka sot Maqedonia dhe Kosova, nivel që është pothuajse 50 për qind më i ulët se sa në Shqipëri. Çdo manovër tjetër është absolutisht inefikase dhe është totalisht në favor të arkës së qeverisë”.
Lideri i opozitës teksa e shikon të zymtë të ardhmen për shkak të krizës ekonomike, kërkon nga qytetarët që t’i bashkohen në protestë në 17 Prill, ku thotë se do jetë kryengritja paqësore më e madhe kundër qeverisë së Edi Ramës. (A2 Televizion)