
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi është përplasur me nënkryetaren e Kuvendit Klodiana Spahiu gjatë mbledhjes së konferencës së kryetarëve. A2 CNN mëson se Bardhi ka deklaruar që nuk është opozita ajo që pengon procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por vetë mazhoranca me vendimmarrjet e saj.
“Është e rëndë të vini e të shpifni këtu. Nuk ka asnjë rast të deputetit të opozitës që flet dhe punon kundër integrimit. Por, ndryshe nga ju, ne nuk bëhemi mburojë e korrupsionit. Ne themi: po, hiqini imunitetin zëvendëskryeministres së akuzuar për abuzime prej 1.1 miliardë euro. Ju thoni jo!
Kush po e pengon dhe kush është kundër procesit të integrimit? Është opozita apo ju që ngrini kartonin e kuq ndaj prokurorisë?
Çfarë thotë progres-raporti? Parlamenti pengohet nga mbikëqyrja e kufizuar e ekzekutivit. Pra, kush po e pengon? Ne që kërkojmë kontroll parlamentar apo ju që votoni kundër kontrollit?
Kush nuk i zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese? Kemi qenë ne apo ju? Keni qenë ju që keni ngritur dy herë kartonin e kuq kundër Gjykatës Kushtetuese.
Ju që vidhni po punoni pro Shqipërisë, ndërsa opozita që denoncon po punon kundër integrimit? Keni rrëzuar çdo instrument kontrolli”, u shpreh Bardhi.
Debati ka vijuar edhe me kryetarin Kuvendit Niko Peleshi, ku kreu i grupit demokrat akuzoi sërish mazhorancën se po rrëzon kërkesat e opozitës për arsye politike, duke theksuar se nuk po pranohen komisione hetimore, interpelanca, mocione me debat apo amendamente ligjore.
“Nëse kërkesat e opozitës rrëzohen nga urrejtja politike, ky nuk është parlamentarizëm. Prandaj po ju pyes, kryetar, cili është roli i deputetëve, kur ju nuk pranoni as komisione hetimore, as interpelanca, as mocione me debat, as amendamente, as ligje?
Cili është roli i opozitës? T’ju bëjë fresk juve?
Na thoni cili është roli ynë. Sepse na thoni “hajde të bashkëpunojmë” dhe “të jemi konstruktivë”, por kur ne e bëjmë këtë, ju rrëzoni gjithçka.
Ju, kryetar, jeni garant për funksionimin e Kuvendit. Na keni lexuar një fjalim që na ka prekur, ndërsa sot nuk gjej asnjë çështje që ju, si kryetar, e keni mbrojtur për opozitën”, u shpreh Bardhi. (A2 Televizion)