“Rama mashtroi pensionistët për bonuset” Berisha: Rritja stratosferike e çmimeve po e godet rëndë këtë shtresë

Nga A2 CNN
7 Prill 2026, 12:56 | Politikë

“Rama mashtroi pensionistët për bonuset” Berisha: Rritja

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Rama për mashtrim ndaj pensionistëve dhe mungesë mbështetjeje për këtë shtresë. Në një konferencë me gazetarët nga selia blu, Berisha tha se skema e bonusit të premtuar për pensionistët është përdorur për qëllime elektorale dhe nuk është zbatuar pas zgjedhjeve. Ai thekson se fondi prej rreth 240 milionë eurosh nuk është shpërndarë, duke lënë pensionistët pa ndihmë në një kohë kur çmimet janë rritur ndjeshëm.

“Së pari dua të theksoj se skema e bonusit, e përdorur në zgjedhjet e 11 majit, pas zgjedhjeve faktohet një mashtrim i vërtetë. Kanë kaluar kaq muaj dhe pensionistët nuk kanë marrë një qindarkë nga fondi i depozituar në Bankën e Shtetit prej 240 milionë eurosh para të pashpenzuara gjatë vitit 2025. Sipas vendimeve të qeverisë dhe premtimeve, ato do u disbursoheshin si bonus pensionistëve. Asnjë qindarkë nga ky fond gjer sot nuk është disbursuar, çka do të thotë se ai po përdoret nga qeveria për qëllime të tjera dhe po ruhet që t’u jepet në fund të vitit. Pra, nuk po u mundësohet pensionistëve me çmimet stratosferike që rriten nga java në javë, nga muaji në muaj. Së dyti, skema e bonusit është mashtrim pasi në këtë skemë mbi 45 përqind e pensionistëve nuk marrin asgjë, ose marrin thërrime, marrin dy kile domate apo tre kile tranguj”, tha Berisha.

Ai shton se një pjesë e madhe e pensionistëve ose nuk përfitojnë fare nga bonusi, ose marrin shuma minimale, ndërsa përjashtohen kategori si pensionistët me pension invaliditeti apo të pjesshëm. Sipas tij rritja e çmimeve të ushqimeve dhe ilaçeve po e vështirëson gjithnjë e më shumë jetën e rreth 750 mijë pensionistëve, duke i lënë ata në pamundësi për të përballuar nevojat bazë ditore.

“Faktikisht bonusi që përfitohet sipas kësaj skeme përjashton pothuajse tërësisht të gjithë pensionistët me pensione invaliditeti, pensione jo të plota e me radhë. Kështu që çdo ditë jeta e pensionistëve bëhet më e vështirë. Në qoftë se kemi parasysh sot çmime që nuk kanë ekzistuar kurrë në tregun e zarzavateve, treg në të cilin një kg domate shitet të paktën 7 herë më shtrenjtë se 7-8 vite më parë, pra kjo bën që kjo shtresë prej 750 mijë qytetarësh të ndjenjë pamundësinë dhe vështirësi të mëdha ditore për ushqimin e vet. Kjo bën që kjo shtresë të mos mund të blejë ilaçet që i duhen për mjekimin ditor të sëmundjeve, dhe dihet se incidenca e sëmundjeve kronike në këtë shtresë është shumë, shumë e lartë”.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos