“Foltorja e jetës time”, Berisha zbut tonet ndaj Salianjit: Kritikat brenda forumeve

Nga Anesti Barjamemaj
4 Dhjetor 2025, 23:31 | Politikë

“Është foltorja e jetës time, është foltorja për demokracinë”. Ndryshe nga foltoret e katër viteve më parë që u bënë për të shpëtuar partinë, këtë herë Sali Berisha takimet me demokratët po bëhen për të shpëtuar Shqipërinë.

“Ndaj dhe kjo foltore është edhe për familjen. Për të shpëtuar familjen. Ndaj kjo foltore, kjo foltore nuk është më vetëm foltore e demokratëve. Kjo foltore është e të gjithë shqiptarëve, të cilët i thonë prindit prind, babait baba, nënës nënë, vajzës vajzë, djalit djalë. Që nuk duan t’ia u shkonfigurojnë me këto akte”.

Për të PD nuk i humbi zgjedhjet, dhe këtë ide kërkoi t’ia përcillte edhe simpatizantëve duke u kërkuar sërish qëndresë për një betejë tjetër përballë socialistëve. 

“Gjithçka do varet nga guximi ynë, gjithçka do varet nga forca jonë, nga mençuria jonë, nga riorganizimi ynë, nga konsolidimi i Partisë Demokratike, nga ripërtëritja e saj. Jo. Ai bie kur t’i përvishemi ne. Ne duhet t’i përvishemi atij”.

Nga takimi me demokratët e Mirditës, Berisha duket se i dha edhe një përgjigje Ervin Salianjit për lëvizjen brenda PD-së, por këtë herë me një gjuhë më të zbutur se sa në oborrin e parlamentit.

Madje mesazhi i Berishës i ngjashëm me diskursin e ish-deputetit Salianji që kërkon ndryshime në lidership. 

“Partinë Demokratike mund ta forcojmë, mund ta ripërtërijmë, mund ta konsolidojmë vetëm kur çdonjëri ta ketë, ta ketë çështje këtë, këtë problem. Janë propozimet tuaja, kritikat tuaja, sugjerimet tuaja, tërheqja e vlerave nga secili prej jush në këtë parti, ato që do e ngrenë këtë në lartësinë e përmbushjes së një misioni historik”.

Berisha u tregua i hapur ndaj kritikëve, por kushti i tij është që çdo mendim ndryshe të shprehet brenda forumeve të partisë.

“Secili nga demokratët, çfarëdo gjëje që të ketë, duhet ta thotë pa asnjë ndrojtje, por brenda forumeve”.
Këto deklarata Berishës i bëri në Mirditë ku u takua me demokratët për të analizuar rezultatin e 11 Majit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos