Ardian Muka, kreu i degës së PD-së në Durrës, i ftuar në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin, komentoi zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike dhe foltoret e organizuara jashtë strukturave zyrtare. “Unë për momentin jam kryetar i degës së Durrësit, ndërsa zoti Stafa merret me komunat. Askush nuk e ka penguar zotin Salianji të vijë dhe të kontaktojë me strukturat. Por fakti që u organizua një foltore private nga individë që janë pjesë e arkivës drejtuese të PD-së, nuk është mesazhi i duhur,” tha Muka.
Ai theksoi se disa prej personave që zhvilluan foltoren nuk kanë kontribuar në fushatat e partisë dhe se kjo lëvizje nuk i shërben kauzës së PD-së. “Për mendimin tim, kjo lëvizje i shërben Edi Ramës. Ne gjithë bateritë i kemi të fokusuar tek denoncimi i vjedhjeve të qeverisë dhe organizimi i brendshëm i partisë. Çdo veprim që devijon fokusin nga këto përpiqet të japë ujë te mulliri i kundërshtarit politik,” shtoi ai.
Muka bëri një krahasim mes foltores së mëparshme dhe kësaj të fundit, duke nënvizuar se të dyja janë zhvilluar jashtë strukturave zyrtare të PD-së. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e ristrukturimit dhe respektimit të statutit të partisë, duke shpjeguar se në Durrës janë respektuar rregullat e primarëve dhe përfshirja në listat e hapura.
Sipas Mukës, roli i opozitës nuk është thjesht të synojë postet e liderëve, por të mbrojë interesin e qytetarëve dhe të adresojë shqetësimet e tyre. “Një opozitë e fortë është aseti më i madh që qytetarët kanë për të minimizuar vuajtjet e tyre,” tha ai. (A2 Televizion)