Gonzato pas takimit me Gjiknurin dhe Bylykbashin: Reforma, thelbësore për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2026, 15:35 | Politikë

Gonzato pas takimit me Gjiknurin dhe Bylykbashin: Reforma, thelbësore

Në një postim në platformën X, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi domosdoshmërinë e reformës zgjedhore për të forcuar transparencën në financimin e partive politike, për të siguruar pavarësinë e administrimit të zgjedhjeve dhe për të shmangur abuzimin me burimet shtetërore.

“Proceset zgjedhore të besueshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare, mbeten një prioritet kyç në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Dje u takova me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, për të diskutuar punën e komisionit në javët në vijim”, tha Gonzato, përcjell A2 CNN.

“Nënvizova rëndësinë e reformës zgjedhore për të rritur transparencën në financimin e partive politike, për të garantuar pavarësinë e administratës zgjedhore dhe për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve shtetërore. Një reformë e gjerë e rregullave zgjedhore, që përfshin edhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, është thelbësore për të garantuar besimin e publikut dhe për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve të ardhshme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos