Një mision faktmbledhës për zgjedhjet e 11 Majit zbarkoi këtë të mërkurë në selinë e Partisë Demokratike.
Përfaqësues të 28 partive nga radhët e Partive Popullore Evropiane erdhën në Tiranë me kërkesë të demokratëve, ku vetë Sali Berisha e kishte paralajmëruar disa herë ardhjen e tyre.
Misioni faktmbledhës nuk tregoi qëllimin e vizitës, por ishte vetë Berisha që pasi përcolli miqtë nga selia blu tregoi për mediat temën e diskutimit, shkruan A2.
“Temë qendrore për një opozitë janë zgjedhjet dhe aty u bë një ekspoze. E keni parë ju librin 1500 faqe me mijëra dokumente. U paraqitën gjerësisht. U diskutua për narkoshtetin, por këto që po ndodhin, asgjësimin e sistemit të drejtësisë dhe të gjitha këto”, tha Berisha.
Kjo vizitë e përfaqësuesve të Partive Popullore Evropiane nuk është e mjaftueshme për Sali Berishën, i cili kërkon më shumë mbështetje prej të huajve në betejën e tij kundër Edi Ramës: “Njëherë presim rekomandime, sepse këta vijnë për të na bërë rekomandime, ne jemi anëtarë. Por, ne presim njëkohësisht edhe një mbështetje të re për kërkesat tona tashmë të njohura që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira, që shteti ligjor të funksionojë”.
Kreu i Partisë Demokratike komentoi edhe situatën me shembjen e rrugëve në juglindje, duke i bërë thirrje qeverisë që të marrë masa për të transportuar të sëmurët: “Unë kam shqetësimin më të madh për dhjetëra dhe qindra të sëmurë të zonës juglindore, të cilët anë procedurat e mjekimit në Tiranë se procedurat janë të centralizuara, dhe që sot mbeten pa mjekim pasi Edi Rama për vete udhëton me dy helikopterë në vend që të dërgojë helikopterët, të marrë çdo të sëmurë, t’i shtrojë këtu, t’i mbajë në hotel për kohën që nuk funksionon rruga dhe të garantojë mjekimin e tij”.
Lidhur me protestën e 28 Shkurit, lideri demokrat pohoi se ende nuk është vendosur strategjia e plotë por shtoi se ky manifestim do të jetë ndryshe nga të tjerët. (A2 Televizion)