Hetimi i SPAK ndaj AKSHI-t, Rama flet për Karçanajn dhe mbështetjen e drejtësisë

Nga A2 CNN
28 Dhjetor 2025, 16:13 | Politikë

Kryeministri Edi Rama komentoi të dielën për herë të parë publikisht hetimin e SPAK ndaj zyrtarëve të AKSHI-t, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.  

“E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAK për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj, gruaja që ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë qeverisës, për transformimin historik digjital të qeverisjes së Shqipërisë, me dije, vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vjet me radhë, gjendet nën një masë sigurie me një akuze te hatashme, për të cilën duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia, e s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret e çorbës politike mediatike, që të dalë deri në fund e vërteta e saj cilado qoftë ajo”, tha mes të tjerash Rama.

Qëndrimi i kryeministrit Rama u mbajt në episodin e radhës të podkastit “Flasim”, ku kreu i qeverisë ndau rezulatet e një raporti të Bankës Botërore mbi nivelin e transformimit digjital të sektorit publik.

“Këtë vit kemi kaluar nga vendi i 68-të në vendin e 14-të, mes gjithë atyre vendeve, duke lënë pas pikërisht falë punës e vullnetit për ta vënë teknologjinë e re në shërbim të publikut dhe të zhvillimit të Shqipërisë, vende me emër të madh, si Danimarka, Singapori apo Mbretëria e Bashkuar, e me radhë”, shtoi Rama, shkruan A2 CNN.

Kryeministri tha se në tremujorin e tretë të vitit, ekonomia Shqiptare u rrit me 3.75 %, se turizmi ishte motori kryesor i rritjes ekonomike, se punësimi është rritur me 69.9 % dhe se paga mesatare bruto është rritur në 830 euro. Në mbyllje të komunikimit të fundit për këtë vit në podcastin “Flasim”, Rama nënvizoi mbështetjen e qeverisë ndaj Reformës në Drejtësi.

Sipas tij, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, një parti në pushtet i hap rrugën drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit edhe oborrin deri dje të ndaluar të pushtetit politik, përfshirë edhe pjesën e saj në atë oborr.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për drejtesinë që i ka munguar këtij shteti qysh në lindjen e tij, 100 e kusur vjet më parë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim organet e drejtësisë me gjithçka kemi në dorë, për të bërë detyrën e tyre dhe do të mbetemi garantët e palëkundur të Reformës në Drejtësi, e të pavarësisë së drejtësisë nga politika, duke vazhduar të mbetemi zëri dhe forca më e madhe e shqiptarëve për Shqipërinë që askush tjetër nuk e mbron dot si ne, nuk e ndryshon dot si ne, nuk e bën dot siç do ta bejmë ne, Shqipërinë në Bashkimin Europian”, përfundoi Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos