Zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Himarës rikthyen fitoren e socialisteve në bashkinë bregdetare. Vangjel Tavo korri një fitore bindëse përballë Petro Gjikurisë me një avantazh prej rreth 1500 votash. Në përfundim të rezultatit, Tavo shtriu dorën e bashkëpunimit duke i ofruar rivalit Gjikuria postin e nënkryetarit.
Vangjel Tavo i “importuar” politikisht nga Gjirokastra do të drejtojë bashkinë e Himarës pas fitores së thellë ndaj kandidati emigrant të opozitës Petro Gjikuria me një diferencë prej 1477 votash.
Edhe pse një ditë më parë shqiptaro-amerikani Gjikuria ishte entuziast që me njohjen e zonës së Himarës, banorët do t’i besonin drejtimin e shtëpisë së tyre.
Pas më shumë se 6 orë numërimi të mbi 8 mijë votave në KZAZ ku të dy qëndronin me shpresën te fitorja, ishte minoritari nga Dropolli me 5022 që i preu biletën e kthimit në SHBA kandidatit të opozitës.
Me kundërshtarët politikë që braktisen sallën e numërimit para se të agonte, i përzier mes socialistëve mbeti i fundit opozitar Petro Beleri.
Tavo i shoqëruar nga socialistët tregoi punën e parë që do të kryente sapo të merrte çelësat e zyrës së bashkisë, ndërsa tregoi që nuk ishte tërhequr nga oferta bujare për të bashkëqeverisur me kundërshtarët.
Me deklaratat para se të mbyllej votimi të dielën, demokratët paralajmëruan disfatën në këtë garë elektorale duke hedhur akuza për presion ndaj votuesve dhe pengimit për të votuar qytetarët me dokument identifikimi të skaduar. Përgjigja i erdhi pas mesnatës të së dielës nga homologu socialist.
Pasi vartësit e tij raportonin tek kryeministri për projeksionin e rezultatit, Edi Rama bënte gati videon e transformimit të Tavos pas rikthimit në PS.
Saga 14 mujore e Himarës për një kryebashkiak merr fund. Teksa dy të parët Beleri i zgjedhur dhe Jorgo Goro që qëndroi në detyrë u ndanë me 19 vota sot janë në burg, socialistët me Tavon rikthejnë bashkinë në shtëpi, për t’ua lënë bregdetin e bukur të Himarës socialistëve dhe demokratëve. (A2 Televizion)