“Ndërhynë në sistem”, Vokshi: Janë ndryshuar datat e skadencës për disa ilaçe në QSUT

Nga A2 CNN
5 Gusht 2024, 12:52 | Politikë

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së shëndetësisë dhe të drejtoreshës së QSUT.

Duke iu referuar disa e-maileve, Vokshi akuzon se në kohën kur institucioni drejtohej nga Albana Fico është ndërhyrë në sistem për të ndryshuar datat e skadencave për disa medikamente. Sipas saj kjo ndërhyrje në sistem është skandal dhe ka rrezikuar jetën e qindra pacientëve. 

“Skandali qëndron në faktin që me urdhër të ish-drejtoreshës së QSUT Albana Fico, nëpërmjet një Memoje Nr. 126/65 datë 29.12.2023 janë dhënë direktiva të titullarit të institucionit Albana Fico që kjo sasi e mbetur e barit FEIBA të kalonte në shërbimin Onkohematologji pediatrike. Si mund të bëhej kjo? Vetëm me ndërhyrjen në sistem nga drejtori i IT në QSUT i cili të fshinte datën e skadencës. Nga e-mailet vihet re që i ushtrohet presion drejtuesit të IT që të marrë masa urgjente sepse kishin kaluar pothuajse 3 muaj nga porosia e ish-drejtoreshës Albana Fico. Në tabelat e fundit jepet gjendja 1137 flakonë, në shumë 1.35 mln Euro, data e skadencës 31.12.2023. Qartazi duket ndërhyrja e bërë në datë 7 mars 2024. Pyetjet që unë do t’i përsëris sot janë: Çfarë e shtyu Albana Fico, ish drejtoreshë e QSUT, që të kërkojë ndërhyrjen në sistem? Pse u kërkua më insistim, që të hiqet data e skadencës, pra manipulimi i sistemit e të bëhej kalimi në farmacinë e pediatrisë? Kur sistemi, që është shumë i mirë nuk e lejon?”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos