
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi sot, gjatë mbledhjes me kryetarët e degëve të Tiranës, se qeverisja e Edi Ramës bazohet në korrupsion dhe lobim korruptiv.
Ndërsa risolli në kujtesë deklarata të Komisioneres Marta Kos, Berisha u shpreh se lobistët e korruptuar të Ramës thanë se shqiptarët nuk çohen kundër korrupsionit.
Megjithatë kreu i PD, shtoi se kryengritja paqësore e opozitës ka treguar të kundërtën, duke damkosur sipas tij qeverinë e Ramës.
“Qeveria e Ramës bazohet në rrafshin ndërkombëtar në korrupsion, lobim korruptiv. Çdo njëri prej jush, anëtar i partisë apo mbështetës, ftoj të rikujtoj vetëm një deklaratë, e cila nuk u bë në selinë e PS, por u bë nga lobistët e korruptuar të Ramës, se problemi i luftës kundër korrupsionit në Shqipëri, është se shqiptarët nuk ngrihen kundër korrupsionit! Një racizëm i mirëfilltë anti-shqiptar, dhe se çështja e AKSHI-t na qenka pjesë e kulturës shqiptare! Domethënë shqiptarët paskan kulturë marrjen peng! E thashë këtë për të treguar se cila është forca e lobimit korruptiv të Ramës, cfarë guximi merr ky lobim të deklarojë një komb, se e ka kulturë pengmarrjen, të deklarojë se heqja e imunitetit, është interpretim shqiptar! Me kryengritjen tonë paqesore kemi treguar të kundërtën, kemi damkosur Ramën dhe qeverisjen e tij, kemi faktuar se shqiptarët nuk pajtohen me bllokimin e shtetit ligjor”, tha Berisha. (A2 Televizion)