Imuniteti i Ballukut, PD rekomandon deputetët të votojnë pro kërkesës së SPAK

Nga A2 CNN
12 Mars 2026, 10:39 | Politikë

Partia Demokratike i ka rekomanduar deputetëve që të votojnë pro kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Relatori i demokratëve Oerd Bylykbashi theksoi se deputetët duhet të japin autorizimin për masën e sigurisë ndaj zonjës Balluku në kuadër të procedimit penal të vitit 2025, ku ajo dyshohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike.

“Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme, e shoqëruar me relacionin dhe provat përkatëse, është shqyrtuar nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në mbledhjet e datave 19 dhjetor 2025 dhe 23 shkurt 2026. Pesë anëtarë të pakicës parlamentare, pas analizimit të çështjes, rekomanduan që deputetët të votojnë pro dhënies së autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurisë aktuale me ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe pezullimin e ushtrimit të funksioneve publike të deputetes Balluku”, deklaroi Bylykbashi.

Sipas tij referuar “nenit 73 të Kushtetutës dhe qëndrimeve të Komisionit të Venecias, imuniteti parlamentar nuk është privilegj personal, por mbron veprimtarinë normale të Kuvendit. Ai mund të hiqet kur nuk ka dyshim se akuza është e motivuar politikisht. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2012 synuan të forcojnë përgjegjësinë penale të zyrtarëve të lartë dhe të afronin standardet e imunitetit parlamentar me ato të qytetarit të zakonshëm, duke garantuar barazinë para ligjit”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos