Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, në një prononcim për A2CNN, deklaroi nga protesta e “Shqipëria Bëhet” se “ndasitë tona janë shumë herë më të vogla se gjëja e përbashkët që kërkojmë, largimin e Edi Ramës”.
“Patjetër që zoti Sali Berisha konfirmoi që ne, nëse kemi dëshirë, mund t'i bashkohemi protestës. Në këtë fazë ku ne jemi, në një fazë primitive të bashkimit, është një fazë ku ne duhet të kemi kushtet e qarta të bashkimit, që kërkohet qeveria tranzitore, që kërkohet një reformë e re elektorale që ndihmon të gjithë spektrin opozitar, kërkon një Reformë Territoriale. Patjetër që kjo mjafton për të na bashkuar në këtë gjë. Nuk do të thotë se është një koalicion politik, as një koalicion zgjedhor, as programet tona kryqëzohen apo mendimet tona janë të njëjta, por e sigurt që dasitë tona janë shumë herë më të vogla se gjëja e përbashkët që kërkojmë, largimin e Edi Ramës”, tha Xhaferri.
“Unë jam i bindur që ne duhet të zaptojmë këtë bulevard, të gjithë forcat opozitare, të gjithë organizatat qytetare, të gjithë kërkesat që kjo situatë duhet të ndalojë së qëni, se kjo qeveri s'ka më legjitimitet, ky bulevard patjetër që nuk duhet liruar deri në largimin e Edi Ramës. Se si do bëhet nga ana logjistike, patjetër ajo i përket kohës. Unë mendoj se çdo regjim është rrëzuar deri më sot. Pra, Edi Rama nuk është i vaksinuar nga një mundësi rrëzimi. E vetmja gjë është që duhet me patjetër të bashkojmë forcat, të jemi të qartë në gjërat që kërkojmë. Si faktori kombëtar, si faktori ndërkombëtar duke u bashkuar në një pikë presioni të dy krahëve”, shtoi Xhaferri. (A2 Televizion)