“Shqipëria Bëhet” në protestë, Lapaj për A2CNN: Duhet bashkim popullor, jo bashkim liderësh

Nga A2 CNN
31 Janar 2026, 18:47 | Politikë

Adriatik Lapaj, kreu i “Shqipëria Bëhet”, në një prononcim për A2CNN para nisjes së protestës së të shtunës, deklaroi se vendi ka nevojë për një bashkim të madh opozitar përtej kryetarëve të partive.

“Duhet reformim total i sistemit elektoral, që i ka falur Edi Ramës pushtetin në tavolinë. Kërkojmë nga i gjithë spektri opozitar të distancohen totalisht nga Edi Rama dhe marrëveshja e fundit që bënë për Kodin Zgjedhor. Duhet një Kod i ri Zgjedhor që e çon hakun te i zoti, që do të thotë që vota vlen njësoj në të gjithë vendin”, tha Lapaj.

“Ne kemi thënë një bashkim i madh opozitar në shesh përtej kryetarëve dhe përtej flamujve të partive. Nëse i lexoni pikat, një nga pikat është që forumi nuk do të përfaqësohet nga kryetarët e partive, që do të thotë në marrëveshjen e madhe qytetare synojmë të jetë përmes qytetarëve të spektrit të ndryshëm politik, të demokratëve, Shqipëria Bëhet, të të gjitha lëvizjeve, të shoqërisë civile. Pra, theksi duhet të vënë te Bashkimi Popullor sepse nevoja është e përbashkët. Jo te liderët. Ne nuk jemi duke bërë një marrëveshje me Sali Berishën. Ne jemi duke imponuar me sa mundim një bashkim qytetar përballë Edi Ramës, sepse nevoja për të hequr Edi Ramën është imediate. Ne mendojmë që vendi ka nevojë për një bashkim të madh qytetarësh. Askush nuk mund të mbajë peng popullin dhe ata që vërtet e duan ndryshimin duhet të kuptojnë vendin e tyre dhe të bëjnë një hap pas. Në këtë drejtim, bashkimi popullor duhet të jetë për nevojën që është tashmë. Ne nuk jemi duke folur për fushatë zgjedhore apo për zgjedhjet e ardhshme. Ne jemi duke folur që këta po e vjedhin vendin sot dhe duhet të ikin sot. Duhet të ikin falë një bashkimi të madh popullor, përtej nevojave apo halleve të kryetarëve të partive. Në këtë drejtim, ju duhet të kuptoni një gjë që është shumë e thjeshtë. Unë nuk e kam fshehur kurrë dhe ky është fakt publik. Shqipëria është në këtë gjendje sot për shkak të marrëveshjes së 2008-ës të ndryshimit të Kushtetutës, që është bërë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Është e nevojshme që Partia Demokratike dhe gjithë opozita të distancohet nga Edi Rama dhe të pozicionohet krah demokratizimit të vendit”, shtoi Lapaj.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos