Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një videomesazhi në Facebook lidhur me debatin që ka lindur pas ankimit në Gjykatën Kushtetuese të pezullimit nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Opozita e ka akuzuar kryeministrin se po ushtron presion ndaj Kushtetueses, por Rama mohoi kategorikisht një gjë të tillë, duke theksuar se ndërhyrja e tij vjen për të mbrojtur balancën e pushteteve.
“Presion gjykatës? Kryeministri nuk duhet të flasë për një proces gjyqësor. Me një pjesë nuk jemi kuptuar… Unë jam palë dhe flas si palë, nuk i bëj presion askujt.Nuk i bëj presion askujt. Unë flas për publikun dhe për balancën mes pushteteve të pavarura në Shqipëri”, u shpreh shefi i qeverisë, duke shtuar se qëndrimi i tij është institucional dhe jo politik.
Rama theksoi se çështja është ngritur në Kushtetuese nga ai vetë si kryeministër, jo për personin e ministres, por për parimin dhe respektimin e kompetencave ekzekutive. Sipas tij, çështja lidhet me “lirinë kushtetuese të kryeministrit për të vendosur për ekzekutivin dhe përbërjen e tij, si edhe të drejtën ekskluzive të parlamentit për të miratuar ose jo përbërjen e një qeverie”.
“A e dini se kush e ka ankimuar në Kushtetuese pezullimin e ministres? E kam ankimuar unë si kryeministër, dhe jo për individ, por për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve, për parimin e mosndërhyrjes në një pushtet të pavarur”, deklaroi ai.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se lejimi i pezullimeve të ministrave nga organet e drejtësisë përbën rrezik për ekuilibrat institucionalë.
“Duke i hapur rrugë presioneve politike ndaj qeverisë, do të kishim diçka që është e panjohur. Mjafton të parafytyrosh çfarë dëmesh do kishte nëse do lejohej kjo”, nënvizoi ai.
Në vijim, Rama shtoi se nëse një ministër pezullohet, një zv.ministër nuk mund të marrë automatikisht detyrat e tij. “Nëse pezullohet një ministër, zv.ministri nuk mund ta ushtrojë detyrën e tij.” (A2 Televizion)