PD dyshon për manipulim, KAS vendos hapjen e 229 kutive të tjera, kërkohen fletët e papërdorura

Nga Anesti Barjamemaj
4 Qershor 2025, 14:52 | Politikë

PD dyshon për manipulim, KAS vendos hapjen e 229 kutive të tjera,

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve vendosi që të hapë edhe 229 kuti votimi të tjera në të gjithë vendin, ku në procesverbale fletët e votimit të papërdorura janë raportuar me numrin zero.

Opozitarët arritën që të bindnin 2 anëtarët Elvis Çela dhe Ledio Braho për të detyruar administratën e KQZ që të rishohin të gjitha materialet zgjedhore.

“Këqyrja të bëhet atje ku janë kutitë e materialeve zgjedhore, i njëjti proces si këtu, subjekti ankues ka të drejtë të sjellë vëzhgues, procesi do të vazhdojë nga administrata e KQZ. Në secilën nga këto kuti të dalë numri i fletëve të papërdorura”, tha Braho, raporton A2 CNN.

Demokratët dyshojnë se këto fletë janë përdorur për manipulime të ndryshme, ndonëse hapja e 4 kutive të tilla të qarkut të Vlorës, dëshmoi se ato ndodheshin bashkë me pjesën tjetër të materialit zgjedhor të administruar nga komisionerët, ndonëse në procesverbal nuk kishin shënuar numrin e tyre.

Ky verifikim sërish nuk bindi demokratët, pasi ngritën pretendime të tjera për parregullsi të shifrave, pasi në një kuti rezultojnë 7 fletë më shumë votimi e në një tjetër rezultojnë 2 më shumë.

Tashmë pritet që të ngrihet një grup nga administrata e KQZ-së që do të hapë edhe 229 kutitë e tjera, në kërkim të fletëve të votimit papërdorura, numri i të cilave mendohet të jetë shënuar gabimisht si 0 në procesverbalin përkatës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos