“Më shumë pavarësi në gjyqësor” PE vlerëson Shqipërinë, kërkon reforma urgjente gjithëpërfshirëse

Nga Arestina Skënderi
4 Qershor 2025, 13:04 | Politikë

Eurodeputetët i bëjnë thirrje Shqipërisë të përshpejtojë reformat dhe të forcojë institucionet demokratike. Në një raport të miratuar nga Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian me 57vota pro dhe 11 kundër, Shqipëria u vlerësua për anagazhimin e palëkundur për anëtarësimin e saj në BE, por eurodeputetët nënvizojnë detyrimet që duhet të përmbushë vendi.

“Ndërsa mirëpresin qëllimin e Shqipërisë për të përfunduar bisedimet e pranimit deri në vitin 2027dhe progresin e bërë tashmë, theksojnë nevojën urgjente për të intensifikuar reformat. Prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e pavarësisë gjyqësore, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Përmirësimi i pluralizmit dhe transparencës në media mbetet thelbësor për të ndërtuar besimin publik”, thuhet në raport, shkruan A2 CNN.

Në raportin e miratuar nga Komisioni i Jashtëm, eurodeputetët i cilësojnë zgjedhjet e 11 maj si konkurruese, ndonëse të zhvilluara në një ambient të polarizuar. Me shqetësim nënvizohet përdorimi i burimeve shtetërore, teksa kërkohet gjithë përfshirje për të adresuar problematikat përmes një reforme zgjedhore.

“Raporti reflekton mbi zgjedhjet parlamentare të majit 2025, duke i përshkruar ato si konkurruese, por të zhvilluara në një mjedis shumë të polarizuar, me shqetësime mbi përdorimin e burimeve administrative. Eurodeputetët u bëjnë thirrje partive politike shqiptare të angazhohen për reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venedikut”, thekson raporti, përcjell A2 CNN.

Progresi i bërë me reformat gjyqësore dhe hetimet për korrupsionin e nivelit të lartë janë të mirëpritura, pohojnë eurodeputetët, megjithëse ndërhyrja politike mbetet ende një sfidë që kërkon adresim.

Eurodeputetët bëjnë thirrje për përpjekje të vazhdueshme për të mbrojtur pavarësinë gjyqësore dhe për të rritur llogaridhënien. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos