"Kemi inflacion kauzash, inflacion skandalesh, por jo inflacion zgjidhjeje" - Dervishi: Opozita të shohë nga vetja

Nga A2 CNN
13 Janar 2026, 21:40 | Politikë

"Kemi inflacion kauzash, inflacion skandalesh, por jo inflacion

Gazetari Lutfi Dervishi ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet aksioni opozitar në Shqipëri, duke theksuar se mungon qartësia, konsistenca dhe një zgjidhje reale politike. I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, Dervishi u shpreh se protestat dhe kauzat aktuale po konsumohen pa prodhuar rezultat.

Sipas tij, mbështetësit e opozitës kanë të drejtë të protestojnë, por problemi qëndron te politizimi i skajshëm i çdo nisme. “Çdo gjë kthehet në garë se kush flet i pari, kush e mban protestën, kush e bëri ftesën. Kjo e zbraz çdo lëvizje nga përmbajtja”, tha Dervishi.

Ai vlerësoi disa forma alternative rezistence politike jashtë boshtit tradicional opozitë-pozitë, duke përmendur partitë e reja, sipas tij, tregojnë më shumë qëndrueshmëri dhe konsistencë. Dervishi solli si shembull “Lëvizjen Bashkë”, e cila, sipas tij, kërkon ndryshim jashtë sistemit aktual politik dhe nuk bën dallim mes mazhorancës dhe opozitës, duke i konsideruar të dyja pjesë të së njëjtës klasë politike që ka konsumuar besimin publik.

Megjithatë, problemi kryesor, sipas Dervishit, është mungesa e një emëruesi të përbashkët dhe e një vizioni të qartë që t’i bashkojë të gjitha këto iniciativa.

“Kemi inflacion kauzash, inflacion skandalesh, por nuk kemi inflacion zgjidhjesh”, u shpreh ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos