
Në kuadër të “Foltores” dhe 35-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, kreu i saj, Sali Berisha, zhvilloi një takim në Lezhë, ku vlerësoi kontributin historik të demokratëve të këtij qarku dhe rolin e PD-së në përmbysjen e komunizmit dhe ndërtimin e pluralizmit politik në Shqipëri.
Berisha shprehu mirënjohje për mbështetjen që qytetarët e Lezhës i kanë dhënë ndër vite Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë si një mbështetje të jashtëzakonshme. Ai u ndal veçanërisht te momentet e para të themelimit të PD-së, duke përkujtuar guximin e djemve dhe vajzave që, sipas tij, “në kushtet e terrorit komunist ndanë epokat dhe çelën dyert e lirisë dhe demokracisë”.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se PD, edhe pse pa përvojë demokratike në fillimet e saj, arriti të ndërtojë institucionet e demokracisë dhe ekonominë e tregut, duke e orientuar vendin drejt Perëndimit dhe integrimit euroatlantik. Ai pranoi se janë bërë edhe gabime, por nënvizoi se Partia Demokratike ka vepruar gjithmonë mbi baza morale dhe ligjore, duke marrë përgjegjësi dhe duke mos mashtruar qytetarët.
Kreu i PD-së rikujtoi periudhën e qeverisjes 2005–2013, duke e cilësuar atë si një fazë transformuese për Shqipërinë, me rritje ekonomike, përmirësim të pagave dhe pensioneve, zhvillim infrastrukture dhe anëtarësim në NATO. Ai theksoi se humbja e zgjedhjeve në vitin 2013 dhe pranimi i rotacionit politik treguan, sipas tij, “besnikërinë e palëkundur të PD-së ndaj demokracisë dhe vlerave të saj”. (A2 Televizion)